Nga Gazeta ‘Si’- Seanca e fundit e legjislaturës në Kuvend ka nisur me debate.
Opozita ka kërkuar që në seancë të kishte një debat në lidhje me atë që ndodhi në Elbasan, ku fusha e landfillit të inceneratorit mori flakë, duke djegur malin me plehra dhe duke vënë në rrezik jetën e banorëve me tymin toksik që u lëshua në ajër.
E para që bëri një kërkesë të tillë ishte Zheni Gjergji, që u mbështet më pas edhe nga deputetja Jorida Tabaku.
Tabaku kërkoi që si Kuvendi, si Ministri i Financave dhe instancat e përfshira, të mbajnë përgjegjësi në lidhje me inceneratorët.
“Kërkoj një debat parlamentar për atë që ndodhi në Elbasan. E nevojshme që hetimi për 430 mln eurosh korruptiv i incenetarorëve, të vijojë diskutimin, duke qenë se çështja nuk është mbyllur. Asnjë nga inceneratorët nuk punon dhe Kuvendi duhet të mbajë përgjegjësi, Ministri i Financave duhet të japë llogari përse vijon të paguajë para për inceneratorët”, tha ajo.
Ndërkohë Gjergji tha se zjarri në Elbasan është një alarm i fortë për gjendjen dramatike të mjedisit sipas saj dhe pasojë ë dështimit të projektit të inceneratorit.
Pas kësaj Spiropali i mbylli mikrofonin, duke i thënë: “Mund të flisni në rendin e ditës, por mos abuzoni me procedurën, ndoshta është çështje e rëndësishme për të biseduar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.