Prej gati 24 orësh ekipi I zjarrfikësve italianë prej 44 vetësh dhe ai grek prej 6 vetësh po gërmojnë mbi rrënojat e shtëpisë së familjes Lala në lagjen Kënetë të Durrësit për të identifikuar e nxjerrë gjashtë personat që ndodhen aty.
Luca Cari zëdhënësi i Zjarrfikësve Italian thotë për gazetën “Si” se situate është tejet e vështirë, por shpresat vazhdojnë të mbeten.
“Shpresa është gjithmonë, edhe koha na favorizon, por situata është shumë e vështirë.”- shprehet Cari duke shtuar se “nuk kemi një kohë të planifikuar për të punuar këtu, do të vijojmë derisa të arrijmë objektivin tonë.
Grupi Italian nga Toscana ka mbërritur mbrëmë (të martën) rreth orës 20:00 dhe nuk ka ndalur për asnjë moment edhe gjatë natës.
“Punonjësit janë të paisur me të gjitha mjetet e duhura për të gërmuar në të tilla raste poshtë rrënojave. Në këtë grup janë edhe dy qen kërkimesh. Puna është shumë e vështirë. Ndërtesa ka qenë katër katëshe. Katet janë bashkuar me njëri-tjetrin dhe tani po punojmë në nivelin e katit të dytë. Po punojmë edhe duke u bazuar tek dëshmitë e njerëzve për të identifikuar se ku mund të ndodhen njerëzit nën rrënoja.”- thotë Cari për gazetën “Si”.
Deri më tani sipas tij nuk është arritur të identifikohet vendin ku mund të jenë njerëzit. Por, shprehet ai, po punojmë që më pas të mund të gërmojmë.
Situata, thotë Cari, është e njëjtë me zonat ku ata kanë punuar në ngjarje të ngjashme në Italia; Aquila, në Italinë Qendrore dhe në rënien e urës Morandi.
“Efekti i tërmetit është i tillë. Kjo është skuadër e specializuar për të bërë këtë tip pune. E dinë se si ta bëjnë punën, kanë të gjitha mjetet, paisjet dhe teknologjinë e duhur për të operuar shumë mirë. Por puna është e ngadaltë sepse duhet të jemi të vëmendshëm për njerëzit që mund të jenë nën rrënoja, se përndryshe mund të jemi ne shkaku i dëmeve.”- tregon Cari.
Aslanitis Babis është zëdhënësi i ekipit grek. Ata kanë ardhur gjashtë në numër dhe dy orej tyre janë vajza shumë të reja tek 22 vjeç .
Për 22 vjeçaren Jokastimi Gatu është eskperienca e parë e punës edhe pse është ushtruar shumë. Edhe ekipi grek ka mbërritur që mbrëmë (e martë) dhe nuk ka rreshtur së punuari në rrënojat e shtëpisë së Albert Lalës për asnjë çast.
“ Situata është e vështirë. Grupi ynë nuk ka arritur të identifikojë vendodhjen e asnjë personi nën rrënoja. Ndihem e frikësuar dhe e ligështuar për situatën, por e rëndësishme është tia arrijmë qëllimit për të cilin jemi këtu”- thotë për “Si” 22 vjeçarja greke Gatu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.