Lajme

Zjarret në Greqi, vjen padia e parë ndaj autoriteteve

Vetëm pak ditë pas tragjedisë që shkaktuan zjarret në periferi të Athinës, vjen edhe padia e parë kundër qeverisë greke.

Të afërmit e dy viktimave të zjarreve në Mati kanë ngritur një padi kundër autoriteteve lokale dhe shtetërore, si dhe forcave të sigurisë.

Ata akuzojnë autoritetet për neglizhencën e treguar në tragjedinë e 23 korrikut që la të vdekur më shumë se 90 persona, dhe ku u përcëlluan fëmijë e të rritur.

Siç raportojnë mediat greke, në tekstin e padisë theksohet se autoritetet janë përgjegjës për akuza penale si vrasje pa paramendim, lëndime trupore, ekspozim që çoi në vdekje dhe zjarrvënie në atë që ata e quajnë një “katastrofë biblike”.

Të afërmit e viktimave u bëjnë thirrje autoriteteve që të ndiqen penalisht të gjithë përgjegjësit për zjarrin që la pasoja të shumta te popullsia greke.

Ndërkohë, ndaj Tsiprasit nuk kanë munguar kritikat nga ana e opozitës, që  e akuzojnë drejtpërdrejt për veprimet e autoriteteve ndaj katastrofës më të madhe të dekadës së fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë