Lajme

Zjarret në Bulqizë dhe Burrel, procedohen penalisht tre persona

Tre persona janë proceduar penalisht nga policia, pasi dyshohen se janë përgjegjës për vënien e zjarreve në Bulqizë dhe Burrel.

Policia njofton se  janë proceduar shtetasit me iniciale S.T. 17 vjeç, A.S. 16 vjeç dhe H.Z. 43 vjeç. Dy adoleshentët janë autorë të dyshuar të zjarrit të rënë në Kongrazhd (Njësia Administrative Komsi, Mat) për të cilët policia thotë se në  “bashkëpunim me njëri- tjetrin, nga pakujdesia, duke djegur ferra e mbeturina, zjarri ka dalë nga kontrolli si pasojë e erës së fortë duke përfshirë dhe djegur sipërfaqje të konsiderueshme pyjore”.

Ndërsa H.Z, është autor i dyshuar i zjarrit pranë aksit Fushë-Bulqizë. “Ky shtetas nga pakujdesia duke djegur mbeturinat në fund të kopshtit të tij, zjarri ka dalë nga kontrolli nga era duke u përhapur me shpejtësi në sipërfaqe të pyllit anës rrugës nacionale Fushë Bulqizë”, – thuhet në njoftimin e policisë së Dibrës.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër, i ka bërë apel “të gjithë banorëve dhe sidomos blegtorëve, që të tregojnë kujdes për mos shkaktuar zjarrvënie në pyje dhe kullota, si dhe të marrin masa të plota edhe në ato raste kur kryejnë pastrime me djegie në tokën e tyre buqësore apo në territorin e banesave të tyre”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë