Nga Gazeta ‘Si’- Instituti për Bashkitë Shqiptare ka reaguar lidhur me situatën e zjarreve në vend, ku në Gramsh e në Delvinë janë shpallur urdhra evakuimi për banorët.
Në një deklaratë për mediat, Instituti për Bashkitë kërkon mbledhjen urgjente të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile për të shqyrtuar shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
“Sugjerojmë thirrjen urgjente të mbledhjes së Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile dhe marrjen në shqyrtim të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, duke kategorizuar situatën si emergjencë civile sipas ligjit”, thuhet në reagim.
Instituti thotë se duhet të bëhet edhe një vlerësim i plotë i dëmeve të shkaktuara dhe zbatimin e masave ligjore për kompensimin dhe rikuperimin e tyre, ndërsa u bën gjithashtu edhe një apel qytetarëve që të respektojnë urdhrat e evakuimit:
“U bëjmë thirrje të gjithë banorëve të bashkive të prekura ose që ndodhen në zona me rrezik të lartë, të respektojnë thirrjet dhe udhëzimet e Ministrit të Mbrojtjes, Kryetarëve të Bashkive dhe Drejtorit të Emergjencave Civile, për masat e evakuimit të mundshëm.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



