Nga Gazeta 'Si' - Kryeministri Edi Rama deklaroi sot(30 janar) se paga minimale e cila aktualisht është në nivelin e 34 mijë lekëve, do të rritet sërish.
Rritjen në fakt ai e pati paralajmëruar që gjatë diskutimeve të buxhetit 2023 në Kuvend ku theksonte se në 6 mujorin e parë ajo do të arrinte në nivelin e 36 mijë lekëve.
“Do të rrisim edhe një herë tjetër nivelin e pagës minimale, që e kemi rritur dy herë këtë vit. Do e çojmë në 36 mijë lekë të reja, me synimin që ta rrisim edhe një herë në pjesën e dytë të vitit të ardhshëm. Pastaj do e çojmë në 38 mijë lekë të reja”, deklaroi atëherë ai.
Ndërsa në tetor, në një takim me operatorët turistikë në Gjirokastër, ai deklaroi se paga minimale do të shkojë 40 mijë lekë para fundit të këtij mandati të qeverisë, në mënyrë që të ndalen largimet nga vendi.
Paga minimale në Shqipëri vitin e shkuar u rrit dy herë, në të dyja rastet me dy mijë lekë. Një herë në korrik në nivelin e 3200 lekëve dhe së fundmi në shtator si pjesë e paketës së rezistencës në nivelin e 3400 lekëve.
Por rritja e saj, shton detyrimet për kontribuesit dhe peshën më të madhe e ndjejnë bizneset, të cilët as në shtator nuk e mirëpritën këtë vendim.
Pagesa e kontributeve të detyrueshme shoqërore llogaritet 27.9%, ku 11.2% paguhen nga punonjësit dhe 16.7% nga punëmarrësit. Me rritjen e pagës minimale me 2 mijë lekë, detyrimi për punëdhënësit në muaj rritet me rreth 333 lekë ndërsa për punëmarrësit prej 224 lekësh.
“Përfitimi është totalisht i buxhetit, ndërkohë që pagesa është totalisht e biznesit”, tha në një deklaratë në shtator për Gazetasi.al eksperti i ekonomisë Artur Papajani.
Ai theksoi se rritja e pagës minimale gjithmonë do të rrisë kostot e bizneseve që paguajnë të punësuarit me paga të ulëta, por sidomos te bizneset e vogla dhe atyre në periferi ndaj dhe shtoi që nuk duhet të jetë një qasje e tërësishme, por sipas rretheve.
Sipas tij, dhe ekonomikisht, rritja e pagës minimale nga qeveria dy herë në vit, është disproporcionale me ritmin e rritjes ekonomike dhe shikohet më shumë si një burim shtesë i përthithjes së të ardhurave buxhetore se sa pasqyrim i ndryshimeve ekonomike.
Rritja e pagës minimale për bizneset shkakton efektin domino pasi detyrohen të rriten dhe pagat e tjera, gjë kjo që përkthehet në më shumë kosto për biznesin.
Po ashtu kjo rritje parashikohet të ulë punësimin. Nëse shteti i detyron ta paguajë rrogën minimale deri 36 mijë lekë, punëdhënësi mund të detyrohet të largojë të punësuarit duke krijuar një rreth vicioz negativ.
“Kuptohet në kapitalizëm biznesi nuk zvogëlon të parat fitimet, por do të përpiqet të përçojë qoftë edhe pjesërisht këtë rritje tek rritja e mëtejshme e çmimeve. Nëse nuk mundet të rrisë çmimet do të shkurtojnë kostot duke filluar me më pak të kualifikuarit, pra shtresat më vulnerabël”, tha atëhere për Gazetasi.al Edvin Prençe, përfaqësues i sektorit fason.
Ndaj, jo pak herë kjo rritja e pagës minimale është konsideruar edhe si thikë me dy presa.
Aktualisht, sipas INSTAT deri në tremujorin e tretë 2022, 16% e të punësuarve në vend paguhen deri në pagë minimale, dhe 27% të tjerë kanë pagë deri në 40 mijë lekë.
Për të gjithë vitin 2022, të ardhurat nga kontributet për detyrimet shoqërore janë rritur me 10 miliardë lekë dhe të ardhurat nga tatim fitimi me 9 miliardë lekë, që përkthehet në kosto më shumë.
Pasi qeveria prezantoi paketën e dytë të rezistencës sociale në shtator të 2022-shit, pjesë e së cilës ishte edhe rritja e pagës minimale për të amortizuar kostot, bizneset kundërshtuan duke thënë që ajo do t’i godiste më shumë dhe inflacioni nuk do të zbutej.
Ata kërkuan që qeveria të ndërhynte me masa për të përmirësuar klimën e biznesit dhe në elemente më të mëdha si bizneset e prodhimit, në mënyrë që të zëvendësojë importin dhe të rrisë eksportet për prodhuesit vendas sepse një nga arsyet kryesore të rritjes së çmimeve sipas tyre ishte shtrenjtimi i produkteve që vendi ynë merr nga importi me vendet e tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.