Menaxhim

Zhvendosja e Kadastrës Vlorë, ASHK: Qytetarët nuk penalizohen, model i nisur në 2021-shin

Nga Gazeta ‘SI’ – Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka reaguar sot lidhur me situatën e krijuar në Kadastrën e Vlorës.

Në njoftimin zyrtar, ASHK thekson se prej kohësh, proceset kadastrale për disa drejtori vendore janë të lokalizuara në Tiranë, si pjesë e një modeli organizimi që synon optimizimin e burimeve njerëzore dhe proceseve administrative.

Sipas ASHK-së, procesi i transferimit të drejtorive vendore në Tiranë ka nisur që në vitin 2021 me transferimin e Durrësit e Krujës, për të vijuar më tej edhe me drejtori të tjera si Shkodër, Kavajë, Kamëz -Vorë dhe Vlorë.

“Në kuadër të rritjes së efikasitetit dhe të mirëadministrimit të proceseve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, edhe pjesa e mbetur e punonjësve në qytetin e Vlorës, po zhvendoset në Tiranë. Ky riorganizim synon përshpejtimin e trajtimit dhe unifikimin e praktikave të punës”, sqarohet në njoftimin për shtyp.

Gjithashtu, në njoftim nënvizohet se “falë digjitalizimit dhe përdorimit të sistemeve të avancuara, një jurist mund të përpunojë të gjithë dokumentacionin ligjor dhe një hartograf mund të kryejë reflektimet hartografike në sistemet përkatëse, pa qenë prezent fizikisht në territorin në të cilin ndodhet prona apo aplikuesi”.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës siguron banorët e Vlorës se “jemi të përkushtuar për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve kadastrale, për të rritur ritmin e legalizimit të ndërtimeve informale si dhe për të përfunduar procesin e Regjistrimit Fillestar në zonat e mbetura në të gjithë qarkun e Vlorës”.

Në njoftimin për shtyp, Kadastra sjell në vëmendje se  “të gjitha aplikimet kryhen online përmes portalit e-Albania dhe shërbimet përkatëse ofrohen gjithashtu në mënyrë elektronike, drejtpërdrejt në profilin e qytetarit aplikues. Gjithashtu, dokumentacioni i nevojshëm për trajtimin e aplikimit, përveç ngarkimit në sistemin elektronik, dërgohet përmes Postës Shqiptare pranë drejtorisë vendore, pavarësisht vendndodhjes së saj, për t’u administruar dhe bashkëlidhur me aplikimin e kryer në mënyrë të rregullt dhe të standardizuar”

Agjencia Shtetërore e Kadastrës përfundon reagimin zyrtar se mbetet e angazhuar që, përmes digjitalizimi të proceseve, të ofrojë shërbime gjithnjë e më të shpejta, transparente dhe të besueshme për çdo qytetar, në çdo drejtori vendore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë