Art dhe Kulture

Zhuliana Jorganxhi – Vargjet që këndojnë

Ne, jemi emri i vetë jetës!

Ne, tek e sotmja të ardhmen kërkojmë.

Ne, Atdheun tonë si askush tjetër

ne, drejt Europës do ta çojmë!

Nëse muzika e viteve ’90 u çlirua nga vargonjtë e censurës së regjimit diktatorial, vargjet e Zhuliana Jorganxhi, vizatuan epokën.Për të lindurit e një dekade më herët, këngët me tekstet e poetes korçare jehojnë ende sot në këngët që mbeten hit.Kronikë në vargje e ngjarjeve dhe zhvillimeve të rrufeshme e dramatike të shoqërisë shqiptare, në vargjet e muzikuara...

Më erdhe në një kohë të dëshpëruar,

me dhembje, Jon!

Kur anijet si fantazma, nëpër det me aventura,

klithnin: “Liberta!

Nga ndjeshmëria e Ardit Gjebreas, tek shpirti rebel i rrokerëve si Elton Deda dhe grupi “Tingulli i Zjarrtë” me ...

E duam jetën,

ndaj na lini të jetojmë!

Tek fenomenet sociale që solli me vete tranzicioni politik, ekonomik e  social, në këngën tashmë të shndërruar në klasiken e viteve ’90 si ajo e kënguar nga Eranda Libohova, “Kthehu për vete, për mua”.

Në parqe pemët ishin çveshur

e zogjtë me rradhë shtegtoi vjeshta...

“Në vitet ’90-të, ne, i ashtuquajturi “Brez i Dhjetorit” që kishim filluar revoltën ndaj pushtetit dhe studionim për Gjuhë - Letërsi, nga alergjia që kishim për kulturën, artin e asaj kohe, kishim vendosur një kriter: poetët që shkruanin atë kohë do t’i gjykonim vetëm për poezitë e dashurisë”, shprehet  gazetari Andi Bejtja për poeten, ndërsa shton  “...Dhe kur e vinim atëbotë atë metër, mes pak emrave, na dilte një Mbretëreshë e Dashurisë. E vëmë këtë metër edhe sot mes dhjetëra qindra emrave që i këndojnë dashurisë dhe Mbretëresha del njësoj, në të njëjtin pozicion me vetveten, të tjerët, me politikën dhe historinë, edhe pse jemi të zhvendosur shumë tutje në kohë. Ajo quhet Zhuliana Jorganxhi”.

Kantautori Elton Deda, i cili ka bashkëpunuar në disa prej këngëve të kthyera në hite dhe himn për rininë e viteve ’90, Jorganzho është më shumë se një poete.

“Është një sakrificë sublime e demokracisë. Ajo ka ndikuar drejtpërsëdrejti në atë çka unë sot përfaqësoj veten si artist dhe krijues. Me poezinë e saj që thërret për liri, ajo është përfaqësuese e gjithë ëndrrave tona për ta çuar Shqipërinë e saj të dashur drejt zhvillimit dhe prosperitetit…!”, është shprehur Deda.

Por Zhuliana Jorganxhi është më shumë sesa një epokë. Nga vitet ’60 e deri në 2020, vargjet e saj u japin shpirt tingujve në këngët shqip, duke kapërcyer regjime, censura apo tendenca e rryma të kohës...

E gjithë krijimtaria e saj, nën titullin “Zëri i shpirtit tim”, vjen si një botim i vetëm nga “UET Press”, nën kujdesin e Ilir Çumanit, i cili i përmblodhi dhe përgatiti për botim poezitë që shënjuan festivale dhe këngë që rrëmbyen çmime e kupa.

Ne besuam si fëmijë,

ne besuam të dashuruar,

se kënduam “Let it bi”,

ndaj do rronim të përgjuar!

Vargjet e kënduara nga Sherif Merdani më 1992-shin,  në “Këngët e Stinës”  ishin ndoshta tabloja më e thukët e historisë së një gjysmë shekulli dhe rrëfimi i gjallë për  gjeneratën e re të vuajtjeve që pësoi një brez që desh të revolucionarizonte dhe modernizonte muzikën shqiptare në të famshmin  festival të 11-të, në dhjetor të 1972-shit, ku Merdani u dënua me heqje lirie. Të tjerëve iu hoq e drejta të këndojnë dhe nga skenat muzikore përfunduan në punë në prodhim.

Por vargjet e Jorganxhi sillnin freski  e erë lirie edhe përpara ndryshimit të regjimeve. Vitet ’80 kishin një këngëtare të dashur, Parashqevi Simakun dhe një poete që me vargje i këndoi po aq fuqishëm rinisë dhe dashurisë/

Më thua shpesh  “Eja bashkë të shkojmë buzë detit!/ Kur shkojmë atje pse papritur heshtim?”, vargje që të marrin dhe të përfshijnë me melodinë e Agim Krajkës,në festivalet e Pranverës, në fund të viteve ’80

Sonte,

unë ndihem vetëm në k’të natë

dhe gabohem...

Krejt pavetëdijshëm, edhe nëse tekstin nuk e lexon deri në fund, poezitë e Jorganxhi mbeten në memorien kolektive.

Vajza, djem, sot jeta po ju pret

ta jetoni, ta gëzoni, jo nuk është e lehtë.

Ti mëson, punon dhe e di përse jeton,

moj, rini tek ti e ardhmja jonë ndrin.

Përtej një teksti kënge, kjo poezi e Jorganxhi trupëzon filozofinë e jetës.“Sikur të mungonte një gërmë nga poezia e Zhulianës, mbase edhe një notë nga muzika ime, “Këngët e Rinisë” nuk do të ekzistonte...”, është shprehur kompozitori Agim Krajka, ndërsa e ka quajtur poeten Nënën e këngës shqiptare.

kompozitori Agim Krajka në promovimin e librit "Zëri i shpirtit tim"

Vargjet e saj kanë hyrë në ligjërimin popullor, ku “Pranvera me një lule nuk vjen” dhe suksesi i këngës  njohur si “Ky marak, marak i shkretë!” me muzikë të Pjetër Gacit ka fituar përmasat e një thesari folklorik.

 … Unë e di çfarë ke në zemër, / ma thonë ata sy. / Lule je, lule ke emrin, lumi unë për ty…!

““Zëri i shpirtit tim,” është përmbledhja e shumëpritur e teksteve të këngëve të Zhuliana Jorganxhi. Dhe është rasti më i mirë, që tregon se si individualiteti “privat’’ i një poeteje të talentuar është bërë prej kohësh pronë e të gjithëve. Dhe nga ana tjetër një lexim i ri, i drejtpërdrejtë i këtij fondi kaq të konsiderueshëm, e ndihmon lexuesin të ndiejë aureolën dhe frymëmarrjen e këngës shqiptare, që ka shpërthyer për autoren që nga fillimi i viteve ’70-të, të një shekulli kaq këmbëngulës për jetën e shqiptarëve dhe vazhdon deri sot, pas konsolidimeve të dikurshme më të para”, shkruan në parathënien e librit, poetja Natasha Lako, e cila e cilëson mikeshën e saj, Zhuliana Jorganxhi, si autorja më serioze dhe më jetëgjatë të teksteve të këngës shqiptare.

Koncert me këngët hite të Zhuliana Jorganxhi

Asnjë poeti tjetër nuk i kanë kënduar vargjet si Zhuliana Jorganxhiut. “Sepse e ndihmuar nga melodia, Zhuliana Jorganxhi, me tekstin e saj ka aftësinë e një magneti të vërtetë artistik”, vijon Lako, duke thënë se në tekstet e poetes  gjendet Shqipëria, që nuk është më as e viteve ’50-të e shekullit të ikur, madje as vetëm e viteve ’90-të.  

“E mendoj si një perëndeshë tempujsh, që me fjalët e saj tregon fatin për kompozitorin; qoftë kur dëgjoj këngën për Ajkunën, që ajo si asnjë tjetër e quan Nëna e Bardhë; e mendoj duke vrapuar rrëzë një lumi, duke vrapuar si një vajzë fshati, me të gjitha shoqet e saj. Sepse, Zhuliana Jorganxhi vazhdon të jetojë me të gjithë, anë e kënd këtij vendi. E mendoj pranë këngëtarëve dhe këngëtareve, së bashku me fjalën, herë të beftë, herë plot shkëlqim, me atë tingull që e sjellin pikat e shiut, dhe erërat, ku ajo është flugeri që fut shpirtin e saj te melodia dhe zëri i një këngëtari”, mendon Natasha Lako.

https://www.youtube.com/watch?v=FtWYKoDfNYI

Fondi i artë i këngës shqiptare përzien emra të mëdhenj kompozitorësh dhe këngëtarësh, me të cilët Zhuliana Jorganxhi ka punuar ngushtë, ndonjëherë edhe me etapa, që njëherë mund te quhen të Agim Krajkës, njëherë të Agim Prodanit, njëherë të Flamur Shehut dhe njëherë të Enver Shëngjergjit, dhe njëherë të Gjergj Lekës, Ardit Gjebresë, e të tjerë emra të mëdhenj. Dhe dihet që, ka këngë, të cilat nuk do të kishin ekzistuar pa atë që iu ka dhënë shpirti i Zhuliana Jorganxhiut. Një mori këngësh me tekstet e saj kanë hyrë në fondin e artë të këngës shqiptare.

Poetja Zhuliana Jorganxhi gjatë promovimit të librit të saj

Vetëm pak ditë më parë,  poetja 74 –vjeçare e cila prej vitesh jeton në Trieste, u nderua nga presidenti Meta me titullin “Mjeshtër i Madh”,   me mptivacionn “ Me mirënjohje ndaj punës së çmuar si artiste e fjalës shqipe; për krijimtarinë e begatë me përkushtim dhe atdhetarizëm për këngët shqiptare, duke dhënë shembullin si frymëzuese dhe pararendëse e një brezi të mrekullueshëm krijuesish. Në vlerësim të veprës si intelektuale e vijës së parë, e cila përmes mesazheve dhe kumteve të saj, ndihmoi në veçanti për emancipimin e gruas dhe rinisë shqiptare”.

Kreu i shtetit, duke e cilësuar një mbretëreshë të këngës shqiptare, do të shprehej se “Personaliteti njerëzor, thjeshtësia, ngrohtësia shpirtërore dhe humanizmi i saj transmetohen si në krijimtarinë poetike dhe në veprimtarinë e saj si aktiviste e shoqërisë civile, duke na dhënë figurën jo vetëm të një artisti të jashtëzakonshëm, por edhe të një gruaje të jashtëzakonshme”. Edhe kryebashkiaku Veliaj e nderoi poeten me "Mirënjohjen e qytetit".

Poetja merr titullin "Mjeshtër i Madh" nga presidenti Meta

Edhe kur krijuesit udhëzoheshin të ndiqnin vijën e Partisë apo të ndihmonin në krijimin e Njeriut të Ri, sipas propagandës së regjimit,  vargjet e Jorganxhi mbetën të freskëta duke e devijuar në mënyrë inteligjente fokusin nga dogma tek një tablo me ngjyra e shpengim rinie si tek kënga “Vajzat e fshatit tim”, me të cilën Alida Hisku mori çmimin e parë në festivalin e 13-të, më 1974

Anës e pas anës-o

lumit të fshatit tim

nga fusha vijnë vajzat sot

djersa në ballë iu ndrin...

Enver Shëngjergji, kompozitori i kësaj kënge, por edhe bashkëpunëtor në shumë të tjera me poeten, e cilëson bilbil dhe kanarinë të vargjeve “... që i bëri të këndueshëm me dashuri tingujt e kompozitorëve shqiptarë. Me ëmbëlsinë, thjeshtësinë dhe ndjenjën njerëzore, i dha madhështi dhe përjetësi vargut. Ajo diti të unifikojë e të bëjë bashkë më së miri ndjenjat e tingujve tanë me vargjet e saj, sikur t’i kishte lindur një nënë...”

https://www.youtube.com/watch?v=rBH7Tz_hZ0I

Në një poezi të shkruar në mars të vitit 1990, titulluar “KukullKënga”, vetë Jorganxhi prek temën e autocensurës, ndërsa ajo e nisi karrierën letrare në moshë të re,  vetëm 17 vjeç në një kohë kur regjimi qe instaluar.

“E shtrenjta ime, ç’bëra me ty,

o këng’ e brisht’ e zemrës sime!

Akull në zemër, xham në sy,

të bëra kukull të një vitrine.

Kukull ditën, njeri natën…

Kukull të bëja prapë çdo mëngjes.

Oh, ç’është murimi i Rozafës,

kur këngën kukull bën çdo brez?!

Fshehur njeri të bëja unë…

Ish kohë e marrë, kohë e shtirë.

Foshnjën e djepit e donte burrë,

burrin e thinjur donte fëmijë!”

Për të nderuar poeten, disa të rinj të Fakultetit të Arteve në Universitetin Europian të Tiranës organizuan koncert me  disa prej këngëve më të njohura firmosur me tekstet e Jorganxhi, ndërsa përurohej libri i saj dhe këngëtarë të njohur,që në festivale pranvere dhe fundviti janë prezantuar me këngë të shkruara nga ajo organizuan një tjetër koncert në Amfiteatrin e Liqenit Artificial.

Studiuesi dhe etnologu Shaban Sinani, është shprehur se nëse do të hartohej një histori e llojeve dhe nënllojeve të krijimtarisë letrare, emri i Zhuliana Jorganxhiut do të qëndrojë në krye të atyre poetëve që kanë shkruar poezi të këndueshme.

“E shfaqur në të njëjtën kohë me poetët e brezit post-Kadare, ajo shumë shpejt gjeti një udhë të ngushtë, por të suksesshme krijimtarie, duke u identifikuar si autore tekstesh. Bashkë me Jorgo Papingjin, Gjokë Becin, Agim Doçin, Arben Dukën dhe të tjerë krijues pak më të vonshëm, ajo e ktheu këtë nënlloj të vogël të poezisë në mjeshtëri”, thotë Sinani.

Gjatë koncertit "Zëri i Shpirtit tim" në Amfiteatrin e Liqenit

Kantautori që ka bashkëpunuar në disa këngë me poeten, Ardit Gjebrea, thotë se  Jorgaxhi kishte aftësinë të të lexonte shpirtin.

“Janë dy profesione që krijojnë vargje, parolier dhe poet. Është e pabesueshme se si të dyja ngjizen në një emër: Zhuliana Jorganxhi! Fjala e saj i jep vlerë muzikës, i jep forcë tingullit dhe drithërimë zërit. Është një mundësi e artë për kë interpreton. Në fund, të duket sikur të ka lexuar shpirtin!”.

Jorganxhi bashkëpunoi me një sërë kompozitorësh të njohur si para ashtu edhe pas viteve ’90, por ndoshta më të ngushtin e pati me nipin, djalin e motrës dirigjente Rozmari të cilën e humbi vetëm pak ditë më parë, Gjergj Lekën.

https://www.youtube.com/watch?v=bvKAACQuiq0

Jorganxhi u lind në  Korçë më 14 gusht 1946,  si një nga katër fëmijët e këngëtarit veteran “Artistit të Merituar” Gaqo Jorganxhi, që për 65 vjet këndoi pareshtur si solist dhe në grupin e mirënjohur të këngëve karakteristike korçare “LIRA”. Ndoqi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në fakultetin Histori-Filologji dhe krahas tij ndoqi pranë Fakultetit të Shkencave Juridike, kursin dyvjeçar të gazetarisë, duke u diplomuar njëkohësisht si mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe për shkollën e mesme dhe si gazetare. Pas  mbarimit të studimeve punoi  për gjashtë vjet si gazetare në revistën “Shqiptarja e Re”, dhe nga viti 1975 si redaktore letrare dhe poete e këngës në redaksinë e krijimtarisë dhe incizimeve muzikore pranë RTSh-së.

Ka botuar libra me poezi si “Net provimesh”(1969), “Rritje”(1971) , “Lule në pemën e lirisë”(1982), vëllimin me tregime për fëmijë “Fëmijët e teto Nastës”(1975), monografinë letrare “Gaqo Jorganxhi dhe grupi LIRA”(2005), përmbledhjen me poezi “Dhembje e ndaluar”(2008), lirika dashurie “Dhembje e bukur”(2008), dhe vëllimin me tregime “…edhe ata pinin çaj…”(2009). Është autore e qindra teksteve poetike nëpër festivalet e këngës në RTSH dhe rrethet e Shqipërisë, në anketat dhe koncertet e RTSh  si ai “Kur vjen pranvera”, “Këngët e stinës”, Koncertet e Majit, në festivalet e këngës në rrethe dhe ato të fëmijëve në Tiranë dhe rrethe të ndryshme të Shqipërisë.

https://www.youtube.com/watch?v=ysXxrAO2Zsg&list=RDysXxrAO2Zsg&start_radio=1

Është fituese e shtatë çmimeve të para dhe shumë të tjerëve. Poezitë e saj janë botuar në Greqi, Rumani, Holandë, Kosovë, Slloveni dhe Japoni. Në vitin 1996 iu dha Disku i Artë i Festivalit; në vitin 1999 çmimi i “Mirënjohjes” nga RTSh dhe  në 40 vjetorin e Festivalit të këngës në RTSh u nderua me  “Çmimin e Karrierës”; në vitin 2014 nga “Promotor” iu dha titulli “Nderi i këngës shqiptare”; kurse në vitin 2020, me 20 Maj, “Dita Kombëtare e Jetimëve”, iu dha titulli “Simbol i vlerave te larta humane”, nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë. Ajo ka marrë pjesë me tekstet e saj poetike në Festivalin e këngës triestine , aty ku jeton prej viteve ’90, si dhe bashkëpunon me kompozitorët dhe këngëtarët e vendit të saj nëpër festivale dhe për albumet e tyre muzikore.

Jorganxhi nderohet me Mirënjohjen e Qytetit nga kryebashkiaku Veliaj

“Tekstet, në shumicën e tyre kanë një histori krijimi në një bashkëpunim të plotë, por, si e tregon ky libër, qëndrojnë gjithashtu më vete, si dëshmi e përjetimeve dhe traktateve të mëdha. Dhe nuk ka tjetër që mund të shkruante këtë varg: “Sa pak ne kërkojmë nga kjo jetë! / O Zot, a kemi të drejtë?!””, shkruan Natasha Lako, ndërsa vetë poetesha në vargjet e saj shkruan “shpirtmbytur jam në zi, pa ty, o poezi!”

Duke sjellë shembullin e kantautorit Bob Dylan, i cili u vlerësua pak vite më parë me Nobelin e Letërsisë si poet i teksteve të këngëve, shkrimtari Besnik Mustafaj thotë “ ...M’u kujtua mikja ime e hershme dhe e përhershme Zhuliana Jorganxhi, e cila gjendej prej vitesh jashtë, krejt larg vëmendjes së publikut shqiptar dhe institucioneve tona kulturore, pothuaj e harruar. Duke mbajtur gjithnjë parasysh paralajmërimin e Aristotelit lidhur me krahasimet, do të kisha shtuar pa ngurrim se Zhuliana Jorganxhi është poetja më e rëndësishme e kënduar në gjuhën shqipe dhe për këtë vepër meriton një nderim të vërtetë”, përfundon Mustafaj. E megjithatë libri "Zëri i Shpirtit tim" nuk i përket së shkuarës. Ka aty qindra këngë të muzikuara e të tjera që presin të çiftohen me muzikë për t'u përjetësuar, sepse Zhuljana Jorganxhi nuk është autore tekstesh të këngëve të aksh epoke. Ajo e shkruan epokën me vargjet e saj, të lindura për t'u bërë të këndueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë