Mendim

Zhizhek: Koha ta interpretojmë përsëri kapitalizmin. Dhe pastaj të fillojmë të mendojmë ndryshimin

Nga Sllavoj Zhizhek * – Pothuajse jam i tunduar të them se kapitalizmi është sistemi më i mirë për të gjithë, megjithëse unë jam shumë kritik ndaj tij. Kapitalizmi është më shumë një kategori etike dhe religjoze për mua. Nuk është e vërtetë kur njerëzit i etiketojnë  kapitalistët si egoistë. Një kapitalist ideal është dikush që është i gatshëm ta vërë jetën e tij në rrezik pra të rrezikojë gjithçka, vetëm që prodhimi të rritet, fitimi të rritet, kapitali të qarkullojë. Lumturia e tij personale është plotësisht e nënshtruar ndaj kësaj ideje. Kjo është ajo që mendoj se Walter Benjamin, mendimtari i madh i “Shkollës së Frankfurtit”, kishte në mendje kur tha se kapitalizmi është një formë e religjionit. Nuk mund ta shpjegosh, të tregosh, një figurë të një kapitalisti pasionant, të obsesionuar me qarkullimin e madh të kapitalit të tij dhe  me rritjen e kompanisë së tij, duke e bazuar lumturinë personale në këtë proces.

Unë natyrisht  jam në thelb  anti-kapitalist. Por le të mos kemi asnjë iluzion këtu. Ajo që më trondit është që shumica e kritikëve të kapitalizmit të sotëm ndihen edhe të turpëruar. Së paku kjo është përvoja ime, kur i përball ata me një pyetje të thjeshtë: “Mirë, dëgjuam historinë tuaj… protestoni ndaj bankave të mëdha që na shpërngulin miliarda të parave të njerëzve të zakonshëm…por çfarë doni në të vërtetë? Çfarë duhet ta zëvendësojë këtë sistem?”

 Dhe pastaj marr  si përgjigje një ngatërresë të madhe ose një përgjigje të përgjithshme moraliste, të tipit  “Njerëzit nuk duhet tu shërbejnë parave. Paratë duhet të shërbejnë njerëzve.”

Epo, sinqerisht, Hitleri do të ishte dakord me këtë, sidomos sepse ai do të thoshte, “Kur njerëzit shërbejnë parave, paratë kontrollohen nga hebrenjtë,” dhe kështu me radhë, apo jo? Pra, ose kjo ose një lloj socializmi “Keynesian” , ose një kritikë e thjeshtë moraliste, dhe kështu me radhë. Pra, e dini, është e lehtë të jesh thjesht një  anti-kapitalist formal,  por çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh kundër kapitalizmit?

Slavoj Žižek

Kjo është arsyeja pse, siç e përsëris gjithmonë, me gjithë simpatinë time për lëvizjen “Occupy Wall Street” ( një lëvizje anti kapitaliste e cila kërkonte barazi në shpërndarjen e ekonomisë) dhe mesazhin e tyre se “Do të preferoja të mos e luaj lojën ekzistuese dhe se ka diçka themelore të gabuar me sistemin dhe format ekzistuese të demokracisë së  institucionalizuar të cilat nuk janë të angazhuara për t’u marrë me problemet.” Por përtej kësaj, ata nuk kanë një përgjigje dhe as unë nuk e kam një të tillë . Për mua, “Occupy Wall Street jep vetëm  një sinjal. Por unë them se ka ardhur koha të fillojmë të mendojmë për më shumë.

Le të mos harrojmë dhe po e them këtë si një lloj komunisti , se alternativat e shekullit të njëzetë ndaj kapitalizmit dhe tregut dështuan tragjikisht. Në  Bashkimin Sovjetik ata tentuan të hiqnin dominimin e ekonomisë së tregut dhe të parasë. Çmimi që paguan ishte kthimi në totalitarizëm të drejtpërdrejtë dhe të dhunshëm, si në një marrëdhënie mes zotëruesit  dhe shërbëtorit , pra një shoqëri e re autoritare… Dhe ky është një nga problemet serioze të nismave dhe veprimit: Si ta zhbëjmë tregun e lirë pa rënë përsëri në marrëdhënie shërbëtor-dominues.

Këshillat e mija konsistojnë në dy aspekte : (a) Filloni të mendoni. Mos u kapni në këto presione pseudo-aktivizmi. Nëse duhet të bëjmë diçka, le ta bëjmë. Pra është  koha për të menduar dhe vepruar . Madje, provokova disa miq të majtë kur u thashë atyre që nëse formula e famshme marksiste ishte, “Filozofët vetëm e kanë interpretuar botën; koha është për ta ndryshuar atë” (teza 11 në Feuerbach) ndoshta sot duhet të themi, “Në shekullin e njëzetë, tentuam ta ndryshojmë botën shumë shpejt. Është mbase koha ta interpretojmë atë përsëri dhe pastaj të fillojmë të mendojmë.”

Diçka tjetër.  Nuk  them që njerëzit po vuajnë, po kalojnë nëpër gjëra të tmerrshme dhe situata është alarmante dhe për rrjedhojë duhet të ulem të mendoj urgjentisht. Përkundrazi ,  duhet të jemi shumë të kujdesshëm në atë që bëjmë. Ja, të jap një shembull të befasishëm. Mendoj se ishte në modë të zhgënjeheshe nga Presidentët amerikanë , konkretisht marrim rastin e Obamas. Ndonjëherë “tronditem” nga ky zhgënjim naiv , sepse çfarë prisnin njerëzit, që ai do të sillte socializëm në Shtetet e Bashkuara?

Për shembull, një nga debatet e vazhdueshme për shëndetësinë universale ishte për një çështje të. Kjo është një gjë e madhe. Pse? Sepse ky debat ka të bëjë me rrënjët e ideologjisë amerikane, liria e zgjedhjes, shteti do të na marrë lirinë, etj. Mendoj se kjo liri zgjedhjeje që republikanët përdorën kundër Obama-s ishtë ideologji e pastër. Por në të njëjtën kohë, shëndetësia universale nuk është një ide e çmendur dhe radikalisht e majtë. Është diçka që ekziston kudo dhe funksionon në mënyrë themelore relativisht mirë në Kanada dhe në shumicën e vendeve të Evropës Perëndimore.

Pra, bukuria e çeshtjes është të zgjedhim një temë që prek themelet e ideologjisë sonë, por në të njëjtën kohë, të mos promovojmë një agjende të pamundur, përshembull  si të zhdukim të gjitha pasuritë private. Pra, kjo do të ishte ideja ime, të selektojmë me kujdes çështje si kjo ku ne mund të ngrejmë një debat publik, por dhe të akuzohemi si utopikë në kuptimin e keq të termit.

*Slavoj Žižek ka lindur më 21 mars 1949, në Lubjanë, Slloveni dhe  është filozof dhe teoricien kulturor, punimet e të cilit trajtojnë tema në psikoanalizë, politikë dhe kulturë popullore. Gjerësia e mendimit të Žižek, stili i tij provokues dhe tendenca për të shkruar punimet e tij me humor e bëjnë atë një figurë të njohur të së  majtes intelektuale perëndimore që nga vitet 1990. Ai është një nga intelektualët më të shquar publikë të fund shekullit të 20-të dhe fillimit të shekullit të 21-të.

Burimi: BigThink     Përshtati: Gazeta “SI”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë