Sabina Veizaj-Ai ka një fasho të vogël në formë drejtkëndore në faqen e djathtë. Në duar bart një lum me të gërvishtura. Mes tyre shtrëngon një shishe ujë gjysmë litri dhe loton.
Është Ajet Meçja, më thotë një kushëriri i tij që sapo ka mbërritur nga Italia dhe gjendet mes turmës përballë asaj çfarë ka mbetur prej pallatit gjashtë katësh në lagjen numër 18 në Durrës.
Ajeti i shpëtoi shkatërrimit të pallatit 10 minuta pasi ra tërmeti 6 ballësh në orën 4 ndaj të gdhiri.
Por siç do të bëja bashkë, më pas copëza historishë tmerri në këtë muzg dimri të ngrohtë, por të hidhur, mësova se Ajeti kishte nën rrënoja vajzën 30 vjeçare Dienën e cila me vajzën 8 vjeçare Esielën në krahë duke tentuar ti shpëtonin lëkundjeve të forta, i kishte zënë pallati tek dera e jashtme. Sëbashku me to kishte qenë edhe bashkëshortja e Ajetit, Roza, nëna e Dienës dhe gjyshja e Esielës.
U shkëputa nga grumbulli i do njerëzve, dhe u drejtova kah një garazh bosh poshtë pallatit përbri teksa disa punonjës policie po konsumonin ushqim të shpejtë. Dikush prejt tyre po shpërndante biskota. Kishte kaluar mesdita dhe ata ishin aty prej tetë orësh.
“Unë që në mëngjës shpura me duart e mia në morg një studente mjeksie rreth të 24-ve.”- më thotë një punonjës i Policisë së Shtetit.
Aty, më tregon me gisht një tjetër punonjës me jelek fosforeshnt duke skërmitur një biskotë, po përpiqen të shpëtojnë një nënë 30 vjeçare që prej disa orësh mban fëmijën të vdekur në krahë.
Kthej kokën dhe shoh një burrë të shëndetshëm veshur me një pulovër ngjyrë të verdhë, I cili deri në fund të operacionit nuk u ndal sëbashku me një vajzë të emergjencave civile që mbathte kostum portokalli.
Aty pari ka përfaqësues të Kryqit të Kuq, të të gjitha departamenteve të Policisë së Shtetit, nëndrejtori i Policisë së Durrësit nuk lëviz prej vendit, mandej afër rrënojave të pallatit afrohet edhe ministri Blendi Klosi me zyrtarë të tjerë.
Ka nervozitet në atmosferë. Familjarë që përqafohen me njëri-tjetrin dhe qajnë, një grua bjonde rreth të 50-ave me xhup të bardhë dhe lejla që dobësohet shpesh nga ngashërimat, mediet që shtohen dhe punonjësit e policisë që përpiqen tu bëjnë me dije të gjithëve se duhet të respektojnë shiritin e verdhë.
Duke pyetur nën zë dhe me kujdes, mësoj se pallati gjashtëkatësh, tashmë i palosur si ndonjë kuti e madhe kartoni që ka mbajtur më parë ndonjë elektro-shtëpiake, është ndër pallatet e parë privat në Durrës që është ndërtuar menjëherë pas rënies së sistemit.
Madje dikush nga pallati përbri në të majtë, i cili ankohet se punonjësit nuk po e bëjnë mirë detyrën për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat, pretendon se ky ka qenë pallati i parë i ndërtuar.
Të gjithë ata syresh që më rrethojnë, vërejnë duke më treguar me gishtin tregues se ish pallati, që në katin e parë kishte piceri dhe bar me pronar të zotin/ ndërtuesin e pallatit, nuk kishte asnjë hekur mes blloqeve të betonit dhe në strukturë.
Ajo që shihja ishte se grupet ishin ndarë në dy pista kërkimi: një afër me tokën ku Diana kishte ngecur keq me vajzën tetë vjeçare në krahë dhe njëri grup në një nivel më lart ku dëgjoja se shihnin një trup, por që asnjë zë nuk vinte prej andej.
Përpiqesha të lexoja ndër buzët e efektivëve të policisë, të infermierëve, të punonjësve të emergjencës civile për të kuptuar nëse për nënën e tmerruar kishte shpresë.
Kur ndizej gjeneratori, ndizej matrapiku që çponte nën rrënoja dhe ngrihej zëri për të kërkuar bombul oksigjeni a amoniak.
Vajza me kostum portokalli nga emergjencat e vështroj tek flet me disa zyrtarë që kanë rrethuar ministrin Klosi tek muzgu nuk ka rënë ende.
“Është shumë e vështirë. Po bëjmë të pamundurën. Por llamarina e ka përshkuar tej e tej dhe vendi ku ka ngecur është tejet i vogël. Po përpiqemi ta mbajmë zgjuar me amoniak”- thotë ajo.
Diana ndaj të gdhiri kishte lënë shtëpinë e saj në një tjetër lagje të Durrësit për të gjetur siguri dhe mbrojtje pranë prindërve, të cilët banonin në katin e dytë të pallatit.
Deri në këto momente numëroheshin katër të vdekur sëbashku me vajzën tetëvjeçare të Dianës.
Askush nuk fliste me siguri për numër viktimash, për banorë pallati apo për emra.
Aty pari kishte njerëz nga lagjje të ndryshme për solidaritet, miq, shok, të afërm të banorëve të atij pallati e fqinjë pallateve rreth e rrotull.
Ajo që mësoj, pronari i picerisë është ende nën rrënoja.
Një vajzë 21 vjeçare me tre shoqet e saj ka ardhur nga lagjja 17, ajo ngjitur. Me sa duket ka nevojë të flasë. “Në këto 21 vite të jetës time, kjo është ngjarja më e tmerrshme që kam përjetuar. Unë jetoj në shtëpi përdhese, isha duke qeshur pafund me një shoqen time dhe ndjemë lëkundjen fatale. U ngritëm dhe dolëm menjëherë. Tek pallati afër identifikuan nën rrënoja një polic diku tek 55 vjeç. Një studente me pantallona të shkurtra doli me këmbët e veta, kurse dy të tjerë I shpëtoi një djalë që kalonte aty me makinë. Ishte një skenë e tmerrshme.”- më thotë ajo.
Kurse një punonjëse e Kryqit të Kuq më tregon e gëzuar se kolegia e saj me fëmijën arritën tu shpëtonin rrënojave të pallatit 6 katësh duke dalë nga një vrimë dhe më tregon me dorë në të djathtë të gërmadhave ku qëndrojnë ende nderur në një copë teli dis arroba që zonja e shtëpisë duhet ti kishte nderur dje pasdite.
Nën pallatin e palosur si një copë kartoni më thonë se mund të gjenden 7 veta nën rrënoja, e disa syreshë të tjerë thonë se mund të jenë edhe më shumë.
Ajo që dihet me siguri është që në pallatin gjashtë katësh, kati i parë ishte biznes dhe të tjetrët të banuar me familjarë e studentë qiraxhinj. Pallati nujmëronte jo më pak se 12 apartamente.
“Kam shokun tim me origjinë nga Rubiku nën rrënoja, Eduart Reçi. Familje e shkëlqyer intelektualësh. Ishin burrë e grua dhe dy fëmijët në shtëpi; djali e vajza doktoreshë. Kanë konfirmuar se ai dhe djali kanë vdekur”- më tregon një mesoburrë duke vënë duart përpara fytyrës gati të ulërijë.
Shoh polic me lot në sy. Njerëz që lëvizin shpejtë duke sajuar mjete rrethanorë që të arrijnë të nxjerrin Dianë ne cila flet prej aty ku është mbërthyer.
Më pas, ende pa rënë muzgu vijnë Forcat e Kosovës me një qen Labrador. Në vendngjarje nuk kishte asnjë qen të policisë shqiptare për të identifikuar njerëzit nën rrënoja.
Mandej vijnë edhe disa forca italiane. Forca të ushtrisë shqiptare. Infermierë.
Dëgjoj zëra që kërkojnë që ambulancat të afrohen. Mendoj “po nxjerrin Dianën”.
Një ambulancë ndez sirenat dhe largohet prej lagjes 18.
I kërkoj një prej familjarëve se kush u nxor. Punonjësit që po përpiqeshin me mullinjtë e erës, kishin arritur të shkëpusnin nga e ëma e cila nuk pranonte, Estelën 8 vjeçare tashmë të larguar nga jeta.
Teksa binte muzgu, u shtuan mediet. Përveçse ishin të gjithë në punë në profilin e tyre, intersimi kishte shumë shpirt brenda; të gjithë në gjuhën e tyre transmetonin zërin e dhimbjes.
Nuk ishte një raportim i thjeshtë për gazetarët ky i sotmi; as për gazetarët kosovarë, as për ata grekë, as për ata italianë.
Tek rrënojat e gjashtëkatëshit ishin tre medie italiane, të cilët më kërkonin informacione të detajuara dhe të sakta; La stampa, Sky, etj.
Policët mandej të shpërndarë në të gjithë lagjen duken të sfilitur, edhe e shprehin mbiveshur keqardhjes.
“Ju lutem, respektoni shiritin e verdhë! Është zonë sigurie!”. Eh sa herë e dëgjova tek përvidhesha mes tyre të depërtoja sa më pranë vendngjarjes dhe nuk ishte çështje lajmi, as kurioziteti edhe pse u përballa rëndë me një polic teksa më akuzonte mua dhe mediet si serixhinj. Unë doja që Diana të sfidonte vdekjen edhe pse ishte mes tragjedisë dhe ndoshta duke ulëritur prej dhimbjeve për më shumë se 13 orë. Burri me pulovër të verdhë kryesonte grupin dhe fliste, kërkonte. Ndjeja se gjërat po ecnin tek po kërkonin një barrel.
Muzgu kishte rënë dhe po bëhej më i thellë dhe edhe pse OSHEE kishte prurë një gjenerator të madh dhe ndriçimi i bollshëm nuk mungonte, nuk arrija dot të lexoja me qartësi buzët nga mund të merrja lajme të mira.
Të gjithë dridheshin, ca nga trauma e mbetur e orëve më parë, ca nga dhimbja e ca nga ankthi i padurimit për ti larë hasapet një herë e mirë me këtë tragjedi e për të shfletuar një faqe tjetër.
Një nivel më sipër ndër rrënoja një tjetër skuadër po jepte e merrte për të nxjerrë një tjetër viktimë.
Shoh diçka nga larg që ngjan me një letër alumini, shquaj barrelën dhe flokët e Dienës dhe një duartrokitje të gjatë suksesi për një jetë të shpëtuar pas më shumë se 13 orëve.
Diaea iku me ambulancë e shoqëruar me duartrokitje dhe brohoritje. Për nënën e saj ende nuk dihet gjë, teksa babai vajton pa zë.
Na lajmërojnë se do të rrethojnë vendin se do të niset të punohet intensivisht. Tek shoh një makinë Hunday gjysmë nën rrënoja dhe gazetarin Italian të La Stampas, i them, eja të takojmë burrin me pulovër të verdhë. “I kërkova intervistë”- më tha. “U përpoqa ta bindja meqënëse jam Italian, por nuk pranoi dhe u largua”- më shpjegoi.
Të gjithë heronjtë largohen në heshtje. Kolegu Italian më drejtoi dorën për të më falenderuar për informacionet e dobishme që i dhash dhe u larguam në drejtime të ndryshme.
Aty lashë shumë kolegë që do ta gdhinin, punjoës policie e të gjitha njësive të angazhuara në këtë emergjencë.
Tek lija pas lagjen 18 në kërkim të një taksie, ndjeja dhimbjen e qetë dhe fisnike të Durrësit dhe durrsakëve. Dhimbje e paulëritur, vajtim i heshtur. Durrësi ishte i gjithi jashtë, por nuk gumëzhinte.
Vështirë të gjeja taksi. Dy djemë adoleshentë, tejet të edukuar u ofruan për ndihmë të sikletosur; “Nëse nuk e ke problem, mund të të shoqërojmë”- më thanë.
U përpoqën me mish e me shpirt; me telefonata, me shoqëri, duke pyetur deri sa më shpunë tek Posta, aty ku më në fund shërbimi taksi nuk ishte ndërprerë.
Teksa makina rrëshqiste mbi asfaltin e lodhur nga lëkundjet e vazhdueshme, njëkohësisht lexoja mesazhet dhe dëgjoja histori tragjike të vërteta nga Durrësi që sapo lashë nga goja e taksistit 60-vjeçar që ishte i pikëlluar për merakun e të bijës në mërgim që po vuante për Shqipërinë nën rrënoja.
Sapo mbërrij në shtëpi, mësoj që Diena i ishte bashkuar të bijës dhe bashkëshortit që kish humbur në 2015-n, pas luftës së fituar me rrënojat në këtë betejë të beftë që nuk e kërkoi kush. Unë dridhem e shkruaj. Shkruaj e dridhem e përpiqem të reflektoj ndër dhimbje e shokim…
Shënim: Ky shkrim është botuar një vit më parë pas tërmetit të 26 nëntorit
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.