Detektivët janë në kërkim të një ‘vajze të mitur kosovare’ që mendohet të jetë partnerja e të dyshuarit më të fundit në çështjen Madeleine McCann – i cili mund të lirohet të Dielën. Mendohet se kosovarja qëndroi me Christian Brueckner, pranë resortit turistik Praia da Luz, në Algarve, ditën kur Madeleine McCann u zhduk, më 3 maj të 2007-s.

Policia mendon se ish-e dashura mund të jetë larguar nga zona para zhdukjes, ndërsa Brueckner qëndroi në qytetin turistik bregdetar, ndoshta në një furgon. Detektivët shpresojnë se gjetja e saj do t’i ndihmojë ata të mësojnë më shumë rreth lëvizjeve të të dyshuarit nga shtëpia e tij në Algarve, 25-minuta në këmbë nga hoteli ku po qëndronte familja e Madeleine. Christian Brueckner aktualisht po vuan në Gjermani një dënim me burg për një krim seksual ndaj një gruaje 73 vjeçare amerikane. Ai në të kaluarën është arrestuar disa herë për vjedhje, trafik droge dhe abuzim seksual të fëmijëve.

Autoritetet e kanë cilësuar identifikimin e të dyshuarit si një zhvillim shumë të rëndësishëm dhe po kërkojnë informacione për dy automjete që lidhen me të. “Ky është qëllimi i apelit tonë, të zbulojmë se çfarë mjeti përdori. Ajo që dimë me siguri është se disa herë ai përdori një furgon për të jetuar. Dhe gjatë javës që i parapriu zhdukjes, ai ishte atje, që do të thotë se ka lëvizur në zonë duke përdorur furgonin si bazë”, ka deklaruar kryeinspektor Mark Cranwell.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




