Lajme

Zhdukja e Jan Prengës, gjykata la në burg Ardian Doçajn

Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Ardian Doçin një prej personave të dyshuar për pengmarrjen e Jan Prengës në Kamëz.

Ndalimi i tij u bë dy ditë më parë në Hanin e Hotit, ndërsa sot doli para sallës së gjyqit për t’u njohur me masën e sigurisë.

Në sallën e gjyqit Ardian Doçaj mësohet të jetë shprehur:

Gjyqtari: Ardian Doçaj quheni ju?

Ardian Doçaj: Po

Gjyqtari: Sa shkollë keni ju?

Doçaj: Tetë-vjeçare

Gjyqtari: Çfarë punoni?

Ardjan Doçaj: Në ndërtim

Gjyqtari: Ku?

Doçaj: Jashtë

Gjyqtari: A keni qenë ndonjëherë i dënuar?

Doçaj: Jo

Gjyqtari: Ke emër tjetër?

Doçaj: Kam pasur më herët emrin Shkëlzen, po e kam ndërruar

Ardjan Doçaj është i gjashti i dyshuar për rrëmbimin e Jan Prengës. Ai u vetëdorëzua, pasi pretendon që nuk ka lidhje me ngjarjen. Por ndërkohë gjykata ka vendosur masë sigurie në mungesë për të dhe e la në burg.

Ndërkohë që prokurori i çështjes Leonard Filopati pritet që brenda pak ditësh të shpallë moskompetencë dhe ta dërgojë dosjen pranë SPAK.

“Me shumë mundësi ky vendim do merret brenda kësaj jave, tha një burim për gazetën “Si”, pasi dyshimet janë bindëse, grupe kriminale të forta kanë tentuar të trafikojnë drogë dhe madje ato rrëmbyen një shtetas në vazhdën e përplasjeve me njëra-tjetrën”.

Deri më tani në burg janë Leonard Hajri, Olsi Turja, Elton Hajri dhe Bajram Hajri, të cilët akuzohen për “Mbajtje peng personi” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa Festim Bixhdili, i cili u arrestua në Kavajë për “Fshehje dhe asgjësim të kufomës”. Ndërkohë, njëri nga personat e shpallur në kërkim Gentian Doçi nga Shkodra, cilësohet si “truri” i kësaj pengmarrjeje. Ai rezulton i shpallur në kërkim dhe nga autoritet italiane për trafik kokaine. Po ashtu, një tjetër emër i njohur i botës së krimit në këtë ngjarje është Dritan Rexhepaj, i cili dyshohet se është dërguesi i kokainës nga Ekuadori.

Jan Prenga u mor peng mesditën e 17 janarit 2020 në rrugën “London”, në Kamëz. Rrëmbimi i tij me dhunë kishte në mes pazare droge.

Rrëmbimi i tij erdhi si pasojë e një konflikti që një nga vëllezërit e viktimës ka pasur me organizatorët dhe rrëmbyesit, si pasojë e disa konflikteve kriminale në Angli. 

Vëllai i Jan Prengës, që jeton në Angli, është kontaktuar nga një grup i fuqishëm që me kamionin e tij të nxjerrë nga Mbretëria e Bashkuar rreth 283 kg kokainë, që mbërrinte nga Amerika Latine, Ekuadori. 

Nga përgjimet rezultoi se ai e ka marrë lëndën narkotike, por nuk e ka dorëzuar në destinacion. Si pasojë e goditjeve të marra në Kamzë dhe humbjes së gjakut, ka ndërruar jetë gjatë rrugës për ta transportuar për në resort, aty ku do mbahej peng.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë