Media Galeri

Zgjidhet ngjyra e vitit për 2023

Ngjyra që do t’i japë formë vitit të ardhshëm është Viva Magenta, sipas Pantone Color System.

E përshkruar si “një nuancë e purpurt” që balancon ngrohtësinë dhe ftohtësinë, Viva Magenta është “një ngjyrë jo fort e zakontë për një kohë jo të zakontë”, tha Pantone në një deklaratë.

Pantone njihet për krijimin e Pantone Matching System, i cili përdoret për të identifikuar dhe përputhur ngjyrat në industri të tilla si printimi, dizajni grafik dhe moda.

“E guximshme dhe e patrembur, Viva Magenta është një ngjyrë që promovon optimizëm dhe gëzim”, thuhet në deklaratë. Kjo zgjedhje synon të pasqyrojë tendencat më të fundit në të gjithë sektorët, duke përfshirë modën, bukurinë, teknologjinë, dizajnin dhe dekorin e shtëpisë.

“Në mes të trazirave, Viva Magenta përfaqëson siguri, besim dhe lidhje në një botë që përpiqet të rimëkëmbet”, sipas Laurie Pressman, nënkryetare e Institutit Pantone Color.

Leatrice Eiseman, drejtoresha ekzekutive e Institutit Pantone Color, tha se nuanca ishte frymëzuar nga ngjyra e kuqe e insekteve të vogla të quajtura cochineal.

Vitin e kaluar Pantone zgjodhi një nuancë të quajtur Very Peri, duke shënuar herën e parë që kompania prodhoi një nuancë të re për ta cilësuar si ngjyrën e vitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë