Aksioni për identifikimin dhe kapjen e autorëve të grabitjes së 9 prillit në Aeroportin e Rinasit është zhvendosur në qytetin e Krujës. Policia e Shtetit ka ndërmarrë një aksion të gjerë mbrëmjen e së dielës në lagjen Citozë të këtij qyteti.
Tre vëllezër janë shoqëruar dhe pasi janë marrë në pyetje njërit prej tyre i është komunikuar masa e arrestit si person i dyshuar si një nga autorët e grabitjes së fundit.
Ata janë Ardit Veseli, i lindur më 1987, Ermal Veseli, lindur më 1982 dhe Oltjan Veseli, lindur më 1981. Oltjan Veseli ka përfunduar në pranga si i dyshuar pjesëtar i grupit në grabitjen e parave të bankave.
Aksioni nuk është i rastësishëm. Veseli është bashkëpronar me Dashamir Kupën i një picerie. Dash Kupa është dënuar si pjesë e grupit prej 8 personash që grabitën furgonin në Qafën e Kasharit në ngjarjen e ndodhur në shkurt të 2017.
Operacioni policor është ndërmarrë me ndihmën e forcave speciale dhe të atyre antiterror, duke zgjeruar gjeografinë e rrjetit të personave që mendohet se grabitën 10 milionë eurot nga Aeroporti i Rinasit dhe tani po hetohet nga Elbasani deri në Krujë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




