Në fillim ishte pandemia e cila ndikoi në zgjedhjet e universitetit. Por pas një kalvari të gjatë procedurash me akuza, shkarkime nga detyra dhe një proteste virtuale nga studentët, Ministria e Arsimit vendosi datën 30 korrik 2020 si datën përfundimtare të zgjedhjeve. Por edhe pas këtij vendimi pati një sërë deklaratash të tjera që “penalizojnë” përsëri datën e zgjedhjeve.
Sipas Ministres se Arsimit dhe Sportit, Besa Shahini ky proces është një domosdoshmëri sepse kjo mungesë zgjedhjesh ka sjellë mungesë shërbimesh për studentët. Ndërkohë nga ana tjetër ky vendim sipas studentëve nuk është i duhur pasi në këtë datë jo të gjithë studentët janë në universitete.
Fabjola Leka studente në vitin e dytë në Fakultetin e Drejtësisë tregon për Gazetën “Si”se, nuk do të jetë në datën 30 korrik në fakultet pasi i ka provimet në fillim të muajit shtator, për më tepër nuk është e interesuar për zgjedhjet pasi thotë se nuk do të jenë me dëshirën e studentëve.
Ndërkohë studentë të tjerë në Universitetin e Tiranës, kanë treguar për gazetën “Si” se në këtë datë mund të jenë në shkollë studentë të vitit të tretë bachelor për degë të caktuara dhe studentë të masterit, por jo të gjithë studentët. Ky shqetësim është ngritur edhe nga Qëndresa Qytetare, një organizatë e cila vazhdimisht publikon të dhëna mbi cilësinë e arsimit në Shqipëri.
Në deklarata për mediat përfaqësuesit e organizatës e cila përbehet edhe nga studentë, i kanë përcaktuar këto zgjedhje si të paligjshme dhe pikërisht për këtë çështje kanë mbështetur studentët, që kanë ngritur padi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë.

Sipas padisë shkelet rregullorja e zgjedhjeve pasi 1 muaj kërkon vetëm fushata, ndërsa bazuar në urdhrin e Ministrisë së arsimit nuk lihet ky afat. Komisionit Zgjedhor në Universitete i ka mbaruar afati dhe operon në kushte te paligjshme. Qëndresa Qytetare pretendon se në UT nuk janë shpallur zgjedhjet nga rektori sipas rregullores. “Në aspektin moral mospjesëmarrja e mbi 60% të studenteve cenon në thelb procesin,” shpjegon drejtuesi i organizatës Rigels Xhemollari për Gazetën “Si”.
Pavarësisht parregullsive insistimi i institucioneve mbetet. Në ndihmë i ka ardhur edhe Gjykata administrative e cila vendosi ta gjykoj në themel çështjen duke e shtyrë në shtator vendimin, kur në kohë që zgjedhjet priten në fund të korrikut. Komisioni Institucional Zgjedhor në Universitetin e Tiranës, deklaroi se “e mirëpret vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë dhe sipas KIZ është inkurajim në veprimtarinë e tyre dhe se vendimi mbron demokracinë zgjedhore universitare dhe mundëson rotacionin e autoriteteve dhe organeve drejtuese përmes votës së lirë të studentëve dhe personelit akademik përmes një procesi të ligjshëm zgjedhor në universitetet publike në vend”.
Por pakënaqësitë për këto zgjedhje kaq shumë të përfolura nuk mbarojnë me kaq.
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë nëpërmjet një letre drejtuar Ministrisë së Arsimit e quajti datën e zgjedhjeve si të pa rregullt, pasi do të ketë mungesë të studentëve dhe zgjedhjet do të jenë formale. Më pas përpara pak ditësh goditja përfundimtarë për këto zgjedhje ishte vendimi i rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni i cili deklaroi që nuk do të ketë zgjedhje në universitet më datën 30 pasi fillimisht nuk janë zgjedhur anëtarët e Komisionit Institucional Zgjedhor.
“Në këto kushte, aktualisht, në Universitetin e Tiranës, nuk është miratuar Komisioni Institucional Zgjedhor (KIZ), sipas kërkesave të nenit 6 të Rregullores së Zgjedhjeve të UT, si e vetmja strukturë që ka përgjegjësi për administrimin e procesit zgjedhor në UT.
Kjo do të thotë që në datën 30 korrik 2020, në Universitetin e Tiranës, nuk mund të zhvillohen zgjedhjet për autoritetet drejtuese dhe për anëtarë të Senatit Akademik të UT, në kushtet e pamundësisë të Senatit Akademik për të miratuar KIZ, dhe të kaosit dhe konfuzionit të shkaktuar nga 5( pesë) ish-personeli akademik i UT.
Nga ana tjetër, 5(pesë) ish- personeli akademik i UT, të cilëve, sikurse jeni njoftuar dhe sqaruar edhe me komunikimet dhe deklaratat e mia të mëparshme, u janë ndërprerë marrëdhëniet e punës me UT që në datën 6 maj 2020, vazhdojnë të ndërmarrin veprime dhe të nxjerrin akte në funksion të procesit zgjedhor të UT. Këta ish-personel i UT, mbështeten hapur nga të gjithë drejtuesit aktualë të njësive kryesore (dekanët e fakulteteve) të UT, në veçanti nga z.Dh.Kule dhe z.A.Hoxha,” thuhet në deklaratën e Konit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)





