Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) zhvillon më 17 prill zgjedhjet për kreun e tij. Gjatë periudhës së fundit ky institucion ka qenë i përfshirë në një kaos organizativ, por tashmë është bërë statuti i ri, që është miratuar nga Ministria e Arsimit, Asambleja dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, si dhe është regjistruar në Gjykatë.
Sot ka qarkulluar një lajm për përjashtimin e 23 federatave nga asambleja e zgjedhjeve të 17 prillit, por në fakt nuk është kështu. Burime të Gazeta Si pranë KOKSH-it bëjnë me dije se disa federata, mes tyre edhe nga ato më të rëndësishmet, siç është ajo e futbollit, nuk kanë plotësuar dokumentacionin që kërkon statuti i ri.

“Nuk është e vërtetë që ka federata të përjashtuara. Janë disa federata që nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm deri më datë 7 prill, që ishte afati kohor, por kjo nuk do të thotë se ato nuk do të votojnë në asamble”, – thotë një burim i Gazetës Si për situatën e krijuar. Në dokumentacionin që mungon nga federata të ndryshme bëhet fjalë kryesisht për atë atë aktiviteteve sportive të vitit 2020, apo dhe një vërtetim zyrtar nga gjykata që konfirmon se në këto federata nuk ka pasur ndryshime gjatë periudhës së fundit.
Kemi të bëjmë me një neglizhencë nga ana e këtyre federatave në plotësimin në kohë të dokumeneteve. Tashmë pritet që federatat që kanë pasur probleme të plotësojnë dokumentacionin e munguar, në mënyrë që të marrin pjesë në zgjedhje. Lajmi i sotëm më shumë ka pasur qëllim të vërë në lëvizje federatat që nuk kanë plotësuar dokumentacionin dhe jo përjashtimin e tyre. Nuk ka sens që në asamble të mos marrin pjesë 23 federata, me në krye FSHF-në.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.