Lajme

Zgjedhjet në Akademinë e Shkencave, PD: Atentat kriminal!

Partia Demokratike ka reaguar ashpër për zgjedhjet që zhvillohen sot në Akademinë e Shkencave për kryetarin e këtij institucioni ku kandidaturë e vetme është Skënder Gjinushi.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, në një dalje për mediat i ka cilësuar zgjedhjet në Akademinë e Shkencave si dëshmi sesi pushteti i injorancës dhe i krimit kërkon të sundojë me çdo çmim mbi elitën.
Spaho thekson se farsa e zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave është paralajmërimi i asaj çka Edi Rama ka planifikuar më 30 qershor.
“Kjo është një tjetër dëshmi sesi pushteti i injorancës dhe i krimit kërkon të sundojë me çdo çmim mbi elitën dhe ndërgjegjen më të lartë të dijes shqiptare.
Farsa e zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave është paralajmërimi i asaj çka Edi Rama ka planifikuar më 30 qershor. Në Shqipëri nuk ka më demokraci. Autoritarizmi është kudo, në çdo institucion dhe në çdo nivel”, u shpreh Spaho.
Spaho deklaron se Partia Demokratike do të angazhohet ndaj të gjithë rrethit akademik shqiptar, ndaj intelektualëve dhe çdo qytetari për të garantuar që organet kompetente të hetojnë çdo abuzim, refuzim në bllok të procesit fals dhe kriminal zgjedhor aktual, do të zhbëjë ilegjitimitetin dhe paligjshmërinë e çdo Kryetari dhe të çdo Kryesie të zgjedhur në kundërshtim me ligjin.
“Partia Demokratike shpreh sot angazhimin publik ndaj të gjithë rrethit akademik shqiptar, ndaj intelektualëve dhe çdo qytetari se :
Do të angazhohet me vullnet të plotë politik për të garantuar që organet kompetente të hetojnë çdo abuzim financiar, administrativ dhe statutor në Akademinë e Shkencave deri më tani dhe në vazhdim;
Do të angazhohet për refuzim në bllok të procesit fals dhe kriminal zgjedhor aktual duke e konsideruar një uzurpim ilegjitim të institucionit publik;
Do të angazhohet për të zhbërë ilegjitimitetin dhe paligjshmërinë e çdo Kryetari dhe të çdo Kryesie të zgjedhur në kundërshtim me ligjin sikurse po ndodh, siç ka ndodhur apo mund të ndodhë edhe më pas, duke iu imponuar anëtarëve të Akademisë dhe rrethit të intelektualëve”, thotë ndër të tjera Spaho.
Në fund, Spaho u bën thirrje të gjithë intelektualëve dhe përfaqësuesve të shkencës të kontribuojnë për një Shqipëri me standarde europiane.
“U bëjmë thirrje të gjithë intelektualëve dhe përfaqësuesve me dinjitet të shkencës dhe dijes të kontribuojnë fuqishëm në lëvizjen e pandalshme të shqiptarëve të bashkuar për standarde europiane, për liri, demokraci dhe shtet të së drejtës, për kufizimin dhe ndarjen e pushteteve, për votën e lirë dhe zgjedhje demokratike, për Shqipërinë si gjithë Europa”, përfundon nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë