Nga Gazeta ‘Si’- Nëse çdo dy vite jemi mësuar që në vendin tonë të përfliten, të akuzohen dhe të kontestohen kaq shumë zgjedhjet politike, nuk keni parë e dëgjuar asgjë, nëse për krahasim do të mësonit se si zhvillohen zgjedhjet për drejtuesit e federatave sportive.
Pas çdo Olimpiade të gjitha federatat përfshi edhe KOKSH-in duhet t’i nënshtrohen Asambleve Zgjedhore, për të cilat federatat sportive kanë hasur një problematikë të përbashkët, mospërputhshmëria me Ligjin e Sportit, ku ndryshimi i statusit të klubeve, në shoqata, masivisht nuk është kryer, ashtu si e kërkon ligji, por njëkohësisht presidentë dhe drejtues janë zgjedhur dhe për shumë vite, pa një vendim gjykate kanë vazhduar veprimtaritë e tyre.
Një anomali me një kosto të madhe financiare, pasi secili nga këto federata e këta presidentë kanë shpenzuar mesatarisht 1 miliard lekë, pa qenë të zyrtarizuar, legjitimuar, apo thënë shkurt, të pa regjistruar në gjykatë.
Duken shifra të mëdha për sportin tonë të varfër, por për të qenë të qartë dhe për të kuptuar si si dalin shifra të tilla, ju kujtojmë që disa prej federatave figurojnë në gjykatë të regjistruara me organet drejtuese që në vitin 2008 apo 2010, si federata e atletikës, volejbollit, peshëngritjes, për të mos i përmendur të gjitha sepse thuajse janë të gjitha, që asambletë zgjedhore të mëvonshme nuk janë regjistruar, ato kanë marrë grantet përkatëse të përvitshme nga shteti.
Kjo pasaktësi, që sjell frikë të madhe për kontrolle në këto kohë, që për fat të mirë dikush po mban përgjegjësi për situata të tilla, ka bërë që të sajohen emra shoqatash thuajse anonime apo me marrje “borxh” sportistësh sa për t’i regjistruar dhe për të qenë në përputhshmëri me ligjin që të paktën të plotësohet një kuorum që edhe gjykata t’i njoh, me pak fjalë sa për të “larë duart”.
Përpos këtij fakti pas zhurmës që krijoi Asambleja e thirrur dhe më pas e anulluar e atletikës, më pas ajo e peshëngritjes që u sajua me shoqata të panjohura pa klubet e traditës, i erdhi radha çudisë së volejbollit. Drejtuesit e kësaj federate, me në krye presidentin Erli Pëllumbi kanë thërritur një Asamble Zgjedhore më 31 janar. Edhe pse statuti i kësaj federate parashikon vetëm 2 mandate të presidentit.
Pëllumbi, duke marrë shkas që nuk është regjistruar në këto mandate që ka kaluar si president, nuk është shqetësuar se si ka funksionuar në ilegjitimitet që nga viti 2008 kjo federatë dhe deri më sot, por e ka shfrytëzuar këtë paligjshmëri, për ta konsideruar veten sërish kandidat, por jo për mandat të tretë, se nuk ia lejon statuti, por duke qenë se nuk ja ka njohur gjykata, edhe ai po tenton t’i thotë komunitetit që nuk paska qenë asnjëherë president dhe kufizimi prej dy mandate për të të fillojë nga këto zgjedhje të 2025.
Në bazë të ligjit të sportit të vitit 2021, të gjitha klubet sportive nën varësinë e pushtetit lokal duhet të kishin ndryshuar statusin për t’u kthyer në shoqata.
Por kjo në 90% të federatave, përjashtuar futbollin dhe basketbollin, nuk ka ndodhur dhe përveç dëmit financiar, pra se si kanë marrë para nga shteti, si i kanë shpenzuar dhe gjëra si këto, kanë marrë edhe në sërë vendimesh për sportin për të cilat në efekt domino vazhdojnë paligjshmërinë në heshtje dhe nën rrogoz duke sajuar dokumenta me shpejtësi për t’ja hedhur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.