Lajme

Zgjedhjet e ardhshme, Zguri: Më shumë transparencë, më pak informalitet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar tri akte nënligjore për procedurën e kontrollit dhe verifikimit të financimeve dhe shpenzimeve të partive politike dhe fushatës zgjedhore.
KQZ miratoi formatin e standardizuar të raportit të auditimit të fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike gjatë vitit kalendarik.
Gjithashtu raportin e auditimit të fondeve të përfituara dhe të shpenzuara nga partitë politike për fushatën zgjedhore dhe raportit të monitorimit të fushatës zgjedhore.
Por edhe disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 1, datë 31.05.2017 për përdorimin e materialeve propagandistike dhe vendet për afishimin e tyre gjatë fushatës zgjedhore.
Kreu i KQZ-së, Klement Zguri, në një dalje për mediat u shpreh se tri aktet i shërbejnë objektivit për rritjen e transparencës së fushatave gjatë zgjedhjeve.
“Të tre aktet i shërbejnë objektivit për rritjen e transparencës së fushatave, si të tilla ata marrin rëndësi të veçantë se përfaqësojnë një copë të mirë reforme. Ne jemi të bindur se zgjedhjet që vijnë synojnë përmirësim, sa i përket financimit dhe transparencës financiare.
Nga zbatimi i këtyre akteve presim më shumë ligjshmëri. Në zgjedhjet e ardhshme ligjore, kjo do të thotë më shumë transparencë më pak informalitet”, u shpreh Zguri.
Kreu i KQZ-së tha se tre aktet u bënë pas një pune intensive me mbështetjen edhe të ndërkombëtarëve.
“Të tre aktet u bënë pas një punë intensive të KQZ në mbështetje me ndërkombëtarët dhe ekspertët.
Identifikimin e metodologjive që mund të përshtaten në vendin tonë. Prandaj unë dua sot përmes kësaj deklarate publike të falënderoj parterët ndërkombëtarë”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë