Rend dhe Ligj

Zgjedhjet, 5.316 policë në terren për mbrojtjen e votës

Gazeta Si – Më shumë se 5 mijë punonjës policie do angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore për zgjedhjet e parlamentare të 11 Majit.

Sot Policia e Shtetit ka publikuar planin e masave për të garantuar rendin dhe sigurinë në aktivitetet përmbyllëse të partive politike, si dhe në garantimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e procesit të votimit këtë të diel.

Duke nisur nga nesër, data 10 maj (të shtunën), policia do të marrë në mbrojtje 5.225 objekte në gjithë vendin që do të shërbejnë si qendra votimi. Në gjithë vendin do të jenë të angazhuar 5.316 forca policie.

Gjatë fushatës elektorale, 6.500 punonjës policie u angazhuan në mbarëvajtjen e aktiviteteve të partive politike të zhvilluara në ambiente të hapura dhe të mbyllura.

“Policia e Shtetit tashmë ka marrë në ruajtje objektet zgjedhore që shërbejnë si KZAZ, që në momentin që kanë shkuar materialet zgjedhore, si dhe kryen shërbim në momentin që largohet komisioni i KZAZ-së nga objekti. Lista me 5316 punonjës policie dhe automjete policie, që do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve, është dërguar në KQZ dhe është miratuar. Ditën e Dielë, që është dita finale, me dorëzimin në mëngjes të objekteve që shërbejnë si qendra votimi, punonjësit e Policisë do të tërhiqen në vendgrumbullimet e përcaktuara dhe do të rikthehen për të bërë shoqërimin e materialeve zgjedhore në drejtim të KZAZ-ve, në orën 19:00. Gjatë ditës së votimit, në rast se nga komisionet e qendrave të votimit, koordinatorët, KZAZ-të apo KQZ-ja do të kenë kërkesa për ndërhyrjen e Policisë, në zbatim të Kodit Zgjedhor, Policia ka lënë pikat e kontaktit me komisionet dhe do të veprojë në kohë, konform përcaktimeve ligjore”, – njofton Policia e Shtetit.

Pas votimit, do të monitorohet në mënyrë strikte procesi i numërimit deri në përfundim të tij. Sipas policisë, janë referuar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në SPAK, 37 raste për krime zgjedhore.

“Strukturat e posaçme hetimore të Policisë së Shtetit, të ngritura për hetimin e krimeve zgjedhore, si rezultat i vlerësimit dhe analizës së çdo informacioni, indicieje, kallëzimi apo deklarimi të çdo qytetari, përfaqësuesi të subjekteve zgjedhore apo kandidati, me qëllim sqarimin e rrethanave, sigurimin e provave dhe vënien e autorëve para drejtësisë, kanë referuar në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm dhe në SPAK, 37 raste për krime zgjedhore”, vijon njoftimin e saj policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë