Gazeta Si - Gjykata e Posaçme e Apelit ka dënuar me dy vite burg Alfred Belerin, i akuzuar për korrupsion në zgjedhje, duke lënë të pandryshuar vendimin e Shkallës së Parë.
Ndërsa për bashkëpunëtorin e tij, Pandeli Kokaveshi është marrë vendimi i 4 viteve shërbim prove, për shkak të problemeve të tij shëndetësore.
Me këtë vendim, Beleri humb mundësinë për t’u betuar si kryebashkiak, pasi tashmë është një person i dënuar me një vendim të formës së prerë.
Ndërsa në Bashkinë e Himarës do të ketë zgjedhje të reja brenda afaktit të përcaktuar ligjor, ku presidenti duhet të përcaktojë datën.
Pas dorëheqjes së Blerina Balës, e cila qëndroi për pak muaj, për momentin ky institucioni lokal drejtohet nga kryetari i emëruar, Arqile Bollano.
Në Gjykatën e Posaçme të Apelit, Beleri kërkoi deklarimin e tij të pafajshëm, qëndrim që e ka mbajtur në vijimësi gjatë gjithë përballjes së tij me drejtësinë, ku u akuzua nga SPAK për korrupsion në zgjedhje.
Edhe pse arriti të sigurojë votat për t’u zgjedhur në krye të bashkisë së Himarës, Beleri nuk e bëri dot betimin.
Gjatë seancës së 14 qershorit, Beleri kërkoi pafajësinë, duke kundërshtuar dënimin me dy vite burg nga Shkalla e Parë.
Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës pretendoi se nuk ka bërë asnjë shkelje dhe sipas tij provat janë manipuluar. Por ajo çfarë është evidentuar nga prokurori Xholi është fakti se sipas tij ka pasur shkelje të ligjit.
Përveç se si kryebashkiak i Himarës, Fredi Beleri është zgjedhur edhe deputet i Parlamentit Europian nga Partia “Demokracia e Re” e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis.
Ai arriti të merrte 237 mijë vota, eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen. Fredi Beleri, i akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje, është dënuar me dy vite burgim nga GJKKO, ndërsa Pandeli Kokaveshi është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg që i janë konvertua me 3 vite shërbim prove, për shkak të gjendjes shëndetësore.
Gjatë çdo seance, Fredi Beleri e ka konsideruar arrestimin dhe dënimin e tij si politik, teksa ka akuzuar Prokurorinë se ka sajuar faktet dhe provat kundër tij.
Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të kaluar, pasi më herët një banor i Himarës, Arsen Rama i ishte ofruar Policisë të regjistronte bisedat dhe veprimet me të, për blerje të votave në favor të tij.
Sipas Prokurorisë, Ramës i janë dhënë shuma monetare prej 5 mijë lekësh për 8 persona, emrat e të cilëve ishin në një listë që ai ia kishte dorëzuar Belerit.
Vetë Rama do të përfitonte një shpërblim prej 300 eurosh. Paratë për personat që do duhej të votonin në emër të Beleri janë dhënë nga bashkëpunëtori i këtij të fundit, Pandeli Kokaveshi.
Arrestimi i Fredi Belerit shkaktoi tensione të ashpra mes Athinës dhe Tiranës, ku Greqia e ka konsideruar si një arrestim politik, po ashtu edhe si opozita në vendin tonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.