Lajme

Zgjedhje të parakohshme, Kryemadhi: Rama të bëjë si Vuçiç

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi është shprehur se kryeministri Rama duhet të ndjekë shembullin e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, i cili sipas saj shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare për të mos thelluar më tej krizën në Serbi.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar të LSI-së, që ishte mbledhur për të diskutuar hapat e radhës së aksionit opozitar, ajo tha se një gjë e tillë nuk do ta thellonte edhe më tej krizën politike në vend.

“Vuçiç u tregua më i mençur se Edi Rama dhe më i shpejtë se ai, i shpalli zgjedhjet e parakohshme për të mos e thelluar më tej krizën. Besoj që edhe Partia Socialiste do të reagojë më shpejt, sepse çdo ditë që kalon e thellon më shumë krizën, dhe njëkohësisht rrit edhe më shumë mos përkrahjen e qeverisë së kapur nga një grup kriminal ndaj shqiptarëve”, tha Kryemadhi nga selia e LSI-së.

Me krijimin e “opozitës së re”, Kyemadhi i konsideroi të blerë deputetët e rinj në Parlament. “Ilegjitimiteti i Parlamentit për ne është bërë më se normale. Nëse deputetët që hyjnë në Parlament me subvencion nga PS, duke eliminuar subvencionet për bujqësinë, ku donacionet për fermerët shkojnë për këta deputetë, Zoti e ruajt Edi Ramën dhe ata që bashkëpunojnë me Edi Ramën. Nëse këta deputetë kthejnë 400 mijë shqiptarë që kanë ikur dhe nëse këta deputetë që kanë hyrë kontrabandë në Parlament, do të rrisin pagat, kjo do të ishte mrekulli”, tha ajo.

Më tej ajo theksoi se listat e kandidatëve të LSI-së do t’i nënshtrohen Vettingut, në mënyrë që të mos ketë përfshirje të personave me të shkuar kriminale.

“Po përgatitemi për zgjedhjet parlamentare. Ne do t’u bëjmë Vetting kandidatëve tanë, që të mos kemi kandidatë me të shkuar të errët. Jam e bindur se edhe partitë e tjera opozitare po përgatiten për këtë proces”, deklaroi Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë