Gazeta Si - Gjykata e Elbasanit ka vendosur të shtyjë afatin e paraburgimit për shtetasen ruse Svetlana Timofeeva të arrestuar për spiunazh
Avokati i saj, Sajmir Vishaj e ka kundërshtuar vendimin, pasi Timofeeva ka kaluar afatet e paraburgimit dhe duhej të ishte liruar nga burgu.
Gjykata e Elbasanit ka pranuar të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë për shtyrjen e afatit të masës së sigurisë. Kjo ka bërë që mbrojtja të kërkojë përjashtimin e gjyqtarit.
“Afati i paraburgimit të Timofeevës ka skaduar në 20 shkurt. Kishim bërë kërkesën për shuarjen e masës së sigurimit, ndërkohë jashtë afateve Prokuroria kërkoi zgjatje afati. Kërkuam përjashtim të gjyqtarit dhe shprehjen e Gjykatës së Apelit përderisa gjyqtar çështje ishte kryetarja e gjykatës. E megjithatë as kjo nuk u mor parasysh. Është e papranueshme”.
Më herët, Rusia i ka paraqitur Tiranës zyrtare një kërkesë për ekstradimin e Timofeevas, e cila është refuzuar nga e akuzuara 33-vjeçare.
Sipas autoriteteve ruse, ajo rezulton në kërkim për veprën penale "Marrje e paligjshme e informacionit që përbën sekret shtetëror’, vendim ky i dhënë që më 25 gusht të vitit të kaluar nga Gjykata e Meshchanky Moskë. Prokuroria e Elbasanit ia ka përcjellë kërkesën Gjykatës së Elbasanit, e cila po trajton rastin.
Mikhael Zarin 24 vjeç Svetlana Timofeeva 33 vjeçe të dy nga Rusia dhe Fiodor Mihailoviç nga Ukraina, u ndaluan më 20 gusht 2022, pasi sulmuan me spraj neuroparalizues ushtarakët Ardian Xhaka dhe Aldi Bici, roje të Uzinës Ushtarake të Çekinit në Gramsh, ku ata po filmonin pa leje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.