Pas shkarkimit të prefektit Çesk Millja ditën e shtunë, për të parë nga afër situatën me rregullat e karantinimit, Shkodrën e kanë vizituar Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, të cilit i është besuar roli i koordinatorit për menaxhimin e situatës nga Covid-19 në kryeqendrën e Veriut.
Teksa ka inspektuar nga afër situatën, Lamallari është shprehur se shkuan në terren për të parë nëse ishin marrë masat e nevojshme në kuadër të situatës kundër COVID-19. Lamallari ka apeluar që bizneset dhe qytetarët të tregojnë kujdes.
“Duhet ta menaxhojmë me kujdes dhe me ndihmën e të gjithëve do ta fitojmë këtë betejë të vështirë”, është shprehur zv.ministri Lamallari.
Ndërkohë, gjatë fjalës së tij, drejtori i Policisë, Veliu pohoi se situata është e vështirë, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat. Ai theksoi se shtimi i rasteve me këtë virus në Shkodër, tregon se të gjithë duhet të tregojnë kujdes.
“Situata është e vështirë dhe ne jemi në terren. U bëj thirrje qytetarëve që të respektojnë të gjitha masat dhe rregullat e vendosura. Shtimi i rasteve në Shkodër duhet të na bëjë më të kujdesshëm të gjithëve”, tha Veliu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




