Gazeta Si – Propozimi i qeverisë për të dërguar ish-ministrin e Financave, Ervin Mete, dhe Jonida Priftin në Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë mund të duket, në pamje të parë, një procedurë rutinë, madje e vonuar për plotësimin e vakancave.
Por në realitet, lëvizja ngjan më shumë si një lёvizje strategjike në një lojë shahu që po luhet larg vëmendjes publike.
Ligji është i qartë: Banka e Shqipërisë duhet të jetë e pavarur nga çdo pushtet tjetër dhe askush nuk duhet të kërkojë të ndikojë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës apo veprimtarinë e saj.
Megjithatë, kur emrat në tryezë nuk janë thjesht teknikë, por politikë, pyetja që lind natyrshëm është nëse kemi të bëjmë me një proces normal institucional apo me një parapërgatitje për një ndryshim më të madh në krye të bankës qendrore.
Në korridoret e Bankës së Shqipërisë flitet prej ditёsh tashmё se Mete nuk është propozuar thjesht për të qenë një nga gjashtë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës.
Ai shihet si një profil që ёshtё projektuar drejt postit të zëvendës-guvernatorit, një pozicion me ndikim të drejtpërdrejtë në drejtimin ekzekutiv të institucionit. Por ky mund të jetë vetëm kapitulli i parë.
Sepse lajmi i vërtetë mund të mos jetë hyrja e Metes në Këshill — por dalja e mundshme e guvernatorit aktual prej pozicionit të tij.
Gent Sejko ka edhe disa vite mandat, por hija e hetimeve që lidhen me çështjen e mikrokredive ka kohë që rëndon mbi institucionin që ai drejton nga viti 2015.
Zvarritja e procedurave, heshtja institucionale dhe mungesa e transparencës kanë krijuar një klimë pritjeje, ku skenari i një goditjeje të papritur nuk duket më aq i pamundur.
Argumenti i përdorur shpesh se hetimet mund të cenojnë sigurinë financiare tingëllon më shumë si një mburojë retorike sesa një garanci stabiliteti.
Në politikë ekziston një rregull i pashkruar: zëvendësi përgatitet përpara se karrigia të mbetet bosh. Dhe qeveria “Rama” rrallë gabon kur bëhet fjalë për kontrollin e institucioneve kyçe ekonomike.
Përvoja e Ervin Metes është e padiskutueshme dhe profili i tij është vlerësuar nga partnerë ndërkombëtarë. Por çështja nuk është nëse ai është i kualifikuar ose jo. Pyetja është: Pse Mete po vjen pikërisht tani?
Nëse skenari që përflitet realizohet, atëherë po afron preludi i një tranzicioni të detyruar në majën e Bankës së Shqipërisë. Skenari ku Mete hyn – pёr t`i hapur derёn e burgut Sejkos – që del.
Edhe për simbolikë kjo “rrokadë” duket si e destinuar, sepse Ervin Mete rrjedh nga një familje e nomenklaturës komuniste me babanë ish hetues dhe prokuror, ndërsa Gent Sejko, vjen nga persekutimi familjar në atë kohë dhe i hetuar penalisht në këtë tjetrën.
Megjithëse aludimet janë të forta, ngjarjet po zhvillohen me fshehtësi në kulisat e pushtetit socialist. Por brenda këtij “sekreti bankar” një pyetje nuk fshihet dot: Ervin Mete po hyn në Bankën e Shqipërisë për të plotësuar një vend bosh…apo për të zënë një “post” që ende nuk është shpallur vakant? /Kontrast.al/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



