Njerez

Zërat e Kujtesës! Në kampin famëkeq të Tepelenës, ku vdiqën urie edhe fëmijë

“Në Tepelenë nuk e dinim se çfarë na priste dhe as që e përfytyronim dot gjithsesi. Por, çfarë vuajtëm e hoqëm ishte jashtë çdo imagjinate. Na lanë 8 ditë rresht pa bukë dhe mundësi për t’u ushqyer. Njerëzit filluan të vdesin nga uria, ndërkohë që drutë e shkurret rrotull kampit u “pastruan” nga gjethet, që filluam t’i mblidheim e t’i ziejmë në formë lakrash me një dorë oriz, sa për të shuar urinë. Filloi dizanteria në masë dhe kufiri që dallonte njeriun nga shtaza ishte shumë afër. Njerëzit u bënë si të çmendur e flisnin me vete”.

Kjo është një pjesëz nga dëshmia e Asija Habilit, e internuar së bashku me familjen e saj në kampin famëkeq të punës së detyruar në Bënçë të Tepelenës. Sot, ajo që ka mbetur nga ky vend tmerri janë gërmadhat dhe ndërtesat e rrënuara, si dëshmitare të vuajtjeve ekstreme të familjeve që u internuan këtu nga regjimi komunist.

Aktualisht, rrënojat e këtij kampi mirëmbahen me aq sa ka mundësi nga një familje, që e shfrytëzon territorin edhe për të mbarështuar bagëti e shpendë. Por, së fundmi ka një projekt për kthimin e këtyre rrënojave në një pikë turistike, për të tërhequr vizitorë vendas dhe të huaj. Qëllimi është ruajtja e kujtesës, që historia të mos përsëritet.

Pjesë e këtij projekti është edhe Ema Andrea dhe puna ka nisur me mbjelljen e pemëve me emrat e fëmijëve që humbën jetën nga skamja, uria dhe sëmundjet e shkaktuara nga kushtet çnjerëzore të këtij kampi, si dhe një memorial përkujtimor për të gjitha viktimat.

Për nga mënyra sesi ka funksionuar ky kamp, janë të shumtë ata që e cilësojnë si një “Aushvic i dytë”. Familjet që grumbulloheshin në këtë kamp nuk cilësoheshin të burgosur, por lirinë e kishin të kufizuar vetëm në itinerarin kamp-punë-kamp dhe me orare të shkurtuara kur kishte tollona për marrje ushqimesh në qytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë