Gazeta Si - Departamenti Amerikan i Drejtësisë, thotë se Irani ka krijuar një komplot për të vrarë Donald Trump përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Në dokumentet e deklasifikuara, të depozituara në gjykatën federale në Manhattan, pretendohet se një udhëheqës i paspecifikuar i Gardës Revolucionare iraniane udhëzoi një kontakt, të identifikuar si Farjad Shakeri, në shtator për të zhvilluar një plan për të vëzhguar dhe në fund të vriste Trumpin.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Shakeri erdhi në Shtetet e Bashkuara si fëmijë, për t'u deportuar rreth vitit 2008, pasi kishte kaluar 14 vjet burg për grabitje.
Në muajt e fundit, burri dyshohet se ka shfrytëzuar një rrjet "bashkëpunëtorësh kriminalë" që takoi në burg për t'i siguruar IRGC-së personel për të "kryer survejim dhe vrasje" kundër objektivave në Amerikë.
Më 7 tetor, në përvjetorin e sulmit të nisur nga Hamasi kundër Izraelit vitin e kaluar, autoritetet iraniane dyshohet se e urdhëruan Shakerin të përgatiste një plan për të vrarë Trump, ndërsa fushata e tij zgjedhore ishte ende duke u zhvilluar. Burri dyshohet se ka rrëfyer se nuk kishte ofruar një plan deri në afatin që i ishte dhënë.
Departamenti i Drejtësisë njoftoi se ka paditur tre persona gjithsej për përfshirje në komplotin e dyshuar të organizuar nga Irani për të vrarë disa persona në Shtetet e Bashkuara, përveç presidentit të zgjedhur.
Autoritetet amerikane arrestuan gjithashtu dy banorë të tjerë të Nju Jorkut, Carlisle Rivera dhe Jonathon Loadholt, për përfshirje në një komplot për të vrarë një gazetar amerikan. Shakeri, megjithatë, mbetet i lirë dhe departamenti shtoi se beson se ai është banor i Iranit.
“Departamenti ka paditur një bashkëpunëtor të regjimit iranian, i cili u urdhërua të koordinonte një rrjet kriminal për të kryer vrasje me kontratë kundër objektivave të shumtë në Shtetet e Bashkuara, përfshirë Presidentin e sapozgjedhur Donald Trump”, tha Prokurori i Përgjithshëm, Merrick Garland.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.