Përafërsisht 25.8 milionë ton mbetje plastike janë grumbulluar në tokë dhe në det, rreth 15% e të cilave është bërë nga poliestra, një lloj plastike që përdoret zakonisht në shishet e pijeve dhe pëlhura sintetike.
Shkencëtarët në Austri kanë zbuluar se disa mikrobe që ndodhen në stomakun e lopëve mund ta shkatërrojnë plastikën.
Zbulimi i mikrobeve të cilët janë të aftë të prishin poliestrat natyrore ofron shpresë për metoda të reja për të trajtuar ndotjen plastike dhe për të mundësuar riciklimin e plastikës.
Si pjesë e dietës së tyre normale barngrënëse, lopët hanë diçka të quajtur cutin, një poliester natyral i prodhuar nga bimët për të mbrojtur muret e qelizave të bimëve.
Bakteret në stomakun e lopës prodhojnë enzima që ndajnë lidhjet kimike në këtë poliester dhe shkencëtarët kanë zbuluar se mund të shkëpusin lidhjet edhe në poliestrat sintetike.
Kërkimi, i botuar në revistën “Frontiers in Bioengineering and Biotechnology”, zbuloi se mikrobet mund të tretin tereftalatin polietileni (PET), të përdorur në shishet plastike, si dhe plastikat e tjera.
Ekipi nga Universiteti i Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës në Vjenë dëshiron të studiojë këto enzima dhe të shohë nëse bakteret që i prodhojnë ato mund të ndërtohen për të ndihmuar në riciklimin e plastikës përveç PET.
Ideja do të ishte ‘manipulimi’ gjenetik i baktereve për të prodhuar këto enzima pa qenë e nevojshme të grumbullohen mikrobet nga stomaku i lopës, duke hapur potencialisht derën e prodhimit industrial.
Shpresa më e madhe do të ishte gjetja e mikrobeve që mund të shkatërrojnë disa nga plastikat më të vështira për tu degraduar dhe ricikluar, siç është polietileni, i cili është një nga plastikat më të përdorura sot.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.