Rend dhe Ligj

Zbulohet mashtrimi, si e inskenoi plagosjen me armë zjarri i riu në Shkodër

Policia e Shkodrës ka zbardhur një skemë mashtrimi që ka tentuar të bëjë një 24-vjeçar, duke u hequr se e kishin plagosur një ditë më parë me armë zjarri.

Në një njoftim zyrtar, policia sqaron se 24-vjeçari Isak Mehmedaj, është vetëplagosur në mënyrë aksidentale dhe nuk ishte plagosur nga persona të tjerë siç u raportua në fillim.

Më tej sqarohet se i riu, në bashkëpunim me G.M., kanë fshehur vendin e ngjarjes, kanë inskenuar një variant ndryshe të ngjarjes, duke u përpjekur të ndryshojnë tërësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe kanë fshehur provat materiale.

Në përfundim të veprimeve hetimore, është arrestuar në flagrancë  shtetasi Isak Mehmedaj 24 vjeç, banues në fshatin Mushan, Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, u arrestua në flagrancë dhe G. M., 20 vjeç, banues  në fshatin Mushan, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”

Një ditë më parë Mehmedaj denoncoi në polici se u qëllua me armë zjarri në bark. Ai u dërgua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë