Menaxhim

Zbulimi: Shqipëria mund të shpëtojë nga kriza nëse përdor për energji llixhat e Bënjës dhe Kozanit

Nga Gazeta ‘SI’ – Një studim i përbashkët i Agjencisë për Burimet Natyrore në Shqipëri dhe Komisionit të Ekonomisë në OKB ka nxjerrë se Shqipëria mund të shtojë burimet e saj të prodhimit të energjisë nga ujërat termalë (llixhat) dhe nxetësia nëntokësore, përfshirë atë të gurëve.

Në studim vendi i parë që përmendet është Kozani 8, në qytetin e Elbasanit, ku cilësohet se uji dhe temperatura e ujit aty ideale për të ushqyer dy kaskada. Kështu, ajo do të mund të ndërtohet me një sistem hibrid e cila do të përmirësonte efikasitetin ekonomik të projektit, ekuilibrin energjetrik në rajon si edhe drejtëpërdrejtë në diversifikimin energjetik të Shqipërisë. Sipas studimit ky projekt do të ishte dhe në dobi të mjedisit pasi llixha do të futej në një proces degazifikimi dhe shkripëzimi, që kanë ndotur zonën. “Analizat ekonomike tregojnë se është e realizueshme. Analiza e riskut tregon të dhëna shumë optimiste për të ardhmen e investimit”, theksohet në raport.

Në analizë përmendet edhe zona e Benjës si një tjetër investim ekonomikisht i qëndrueshëm, bazuar po në ujërat gjeotermalë dhe do të sillte njësoj të mira si ato që u përmendën më lart. “Energjia elektrike e prodhuar nga skema e kombinuar do të përmirësojë efikasitetin e saj; Sistemet gjeotermale janë miqësore me mjedisin; Analiza e rrezikut tregon se nuk ka ndonjë rrezik të shtuar për investimin e propozuar; Shfrytëzimi i drejtpërdrejtë i burimeve gjeotermale me entalpi të ulët (energji e brendshme) të Shqipërisë do të ndihmojë në diversifikimin e burimeve energjetike duke zbutur kështu problemet e furnizimit me të cilat përballeshin në të kaluarën e afërt”, thuhet në studim.

Aty përmendet se nëse konsiderohet ndërtimi i një qendre të tillë duhet të nisë nga Kozani 8 si një vend me shumë fuqi energjetike dhe shumë pranë kryeqytetit. Një risi e tillë do të nxiste padyshim konkurrueshmërinë e tregut energjetik në Shqipëri.

“Në fakt, përdorimi i energjisë gjeotermale në vend nuk mund të zgjidhë të gjitha problemet që lidhen me sektorin e energjisë. Megjithatë, pa asnjë dyshim, mund të ndihmojë në zbutjen e tyre. Lehtësimi i problemeve sociale si punësimi, çështjet që lidhen me pronat e paluajtshme dhe diversifikimi mjedisor dhe i portofolit nuk është më pak i rëndësishëm. Mund të jetë një hap i mirë edhe drejt dekarbonizimit të ekonomisë shqiptare”, shkruhet në studimin e OKB dhe AKBN.

Qëndrueshmëria socio-ekonomike, por vetëm pas dhe përfundimit të studimeve, e cila do të përfshijë dëgjime dhe konsultime të gjera publike me banorët, qeverinë vendore dhe qendrore, dhe palë të tjera të interesuara sipas ligjeve dhe rregulloreve ndërkombëtare dhe kombëtare, do të jetë një mjet i vlefshëm për zhvilluesi potencial, duke qenë se zbatimi i projektit do të kërkojë angazhimin e fondeve dhe instalimin e të gjitha pajisjeve, për sa i përket projektimit, për të filluar me nxjerrjen e burimeve dhe funksionimin/shfrytëzimin e impiantit/objektit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë