Trashëgimi

Zbulimi i pllakës antike në Shkup, Ceka dhe Bislimi: Një provë tjetër se Scupi antik ishte pjesë e Dardanisë

Nga Gazeta Si - Zbulimi i një pllake antike pranë zonës së varrezave të vjetra në Karposh të Shkupit, mbi të cilën, ndër të tjera dallohet emri “Dardanus” ka interes të madh në Maqedoninë e Veriut, por edhe në qarqet akademike në Shqipëri.

Historiani Muzafer Bislimi dhe arkeologu Neritan Ceka vënë në dukje për Gazetën “Si” se zbulimi i kësaj pllake antike është një provë tjetër se Scupi antik ishte pjesë e Dardanisë, si në konceptin gjeografik, ashtu edhe atë etnik.

Historiani Muzafer Bislimi (profesor në Universitetin e Shkupit) thotë për Gazetën “Si” se bëhet fjalë për pllakë varri, epitaf i njëfarë personi me emrin “Dardanus”, i cili si duket ka vdekur në moshën 25-vjeçare.

Të njëjtën gjë e pohon edhe arkeologu Neritan Ceka. Ceka thotë se bëhet fjalë për një familje, ku njëri prej djemve e ka emrin ‘Dardan’ që është emër ilir, që në thelb është emër populli.

“Përkthimi i pllakës së varrit është: Epikrati, biri i Kraterit, nga Heraklea, jetoi 47 vjet. Tyhe, skllave e liruar dhe bashkëshorte e Epikratit: Krateri, biri dhe skllavi i liruar i Epikratit; Severi, biri dhe skllavi i liruar i Epikratit; Dardani, biri i Epikratit, e vendosin (monumentin) për meritat e tij”, shprehet arkeologu Ceka për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “Stele prej guri gëlqeror ka qenë ngritur në kujtim të Epikratit, birit të Kraterit, që jetoi 47 vjet. Ai ishte me origjinë nga qyteti Heraklea, që duhet të jetë Heraclea Lyncestis (Bitolje/Manastir i sotëm). Me interes është edhe onomastika e familjes, sepse Epikrati, Tyche dhe Krateri, gjyshi dhe nipi, mbanin emra helenë, siç ndodhte në shumë qytete ilire si rrjedhim i akulturimit. Njëri vëlla mban emrin latin Severus, që është normal në një qytet koloni romake, siç ishte Scupis (Shkupi). Vëllai i tretë mban emrin Dardan, duke u ndikuar nga etnikoni i popullsisë vendëse, sepse Scupis ishte në trevën jugore të Dardanisë”.

Arkeologu Neritan Ceka

Sipas arkeologut Ceka, kjo është një provë tjetër se Scupi antik gjendej në trevën dardane ku popullsia e ruante identitetin dhe vihet re një ndërgjegje etnike.

“Mbishkrimi është i fillimit të shekullit të II-të, i kohës së Adrianit. Kjo tregon se ka një ndërgjegje etnike derisa i vë fëmijës së tij emrin Dardan kur po themi nuk ekziston Mbretëria Dardane, tregon që popullsia e ruante identitetin. Dhe pastaj pikërisht aty ku është gjetur mbishkrimi, Shkupi bëhet provinca e Dardanisë një shekull më vonë, nga gjysma e dytë e shekullit të III-të”, vijon më tej Ceka për Gazetën “Si”.

Ceka thotë se e gjithë ajo trevë bënte pjesë në Dardani, në konceptin gjeografik dhe duket qartë edhe etnik.

“Ka përpjekje nga historiografia maqedonase që ta zhdukin emrin e dardanëve, mos ta quajnë Dardani, ta quajnë Maqedoni edhe në kohën antike, kur në fakt nuk ka qenë Maqedoni. Edhe në shekullin e VI-të këta quhen dardan, se prej këtyre vjen perandori Justin dhe është tamam nga ai vend”, shpjegon arkeologu Ceka.

Për historianin Bislimi zbulimi i kësaj pllake ka një rëndësi të veçantë, pasi konfirmohet edhe njëherë me fakte vazhdimësia iliro-dardan-shqiptar në këto troje.

Historiani Muzafer Bislimi

“Pllaka dëshmon prezencën e dardanëve-shqiptarëve në këto troje që nga kohët e vjetra. Scupi ka qenë kryeqendra e Dardanisë! Po kjo edhe më tepër forcon faktin se shqiptaret e Maqedonisë nuk janë këtu të ardhur siç pretendon historiografia serbe, por janë autoktonë në trojet e tyre etnike”, shprehet historiani për Gazetën “Si”.

Ndër të tjera, Ceka hedh poshtë zërat se pllakat e zbuluara janë dëmtuar ose janë thyer me qëllim nga qarqet shoviniste.

“Ka një keqinterpretim që thonë i kanë thyer me qëllim, aty gërmimi është i rregullt, thyerja është e vjetër, nuk është e re. Nuk është e vërtetë që e kanë bërë qarqet shoviniste. Ajo që ka vlerë është se emri etnik dardan ruhet te familjet”, vijon më tej Ceka.

Për momentin në këtë zonë punojnë arkeologët e qendrës konservatore Shkup, të cilët do të vendosin se çfarë duhet bërë më tej.

“Këto mbishkrime dhe fakte të tjera nëse gjenden do konservohen dhe do të dërgohen në muzeun e qytetit të Shkupit ose më saktë në lokalitetin arkeologjik Scupi, i cili gjendet aty afër. Aty mund të shihen dhe nga vizitorët!”, përfundon historian Bislimi për Gazetën “Si”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë