Gazeta Si – Një 48-vjeçar nga Vlora është shpallur në kërkim si autor i dyshuar i vrasjes së italianit Edoardo Sarchi.
Policia dhe Prokuroria e Gjirokastrës njoftojnë se kanë zbuluar autorin dhe zbardhur dinamikën e vrasjes së biznesmenit 44-vjeçar, trupi i pajetë i të cilit u gjet pas mesnatës së 26 shtatorit 2025, në zonën e quajtur “Qafa e Dilanit” në Salari të Tepelenës.
Si rezultat i hetimeve, është identifikuar autori i dyshuar, Kamber Sulçaj 48 vjeç, banues në fshatin Mesaplik, Vlorë, i cili është shpallur në kërkim për veprat penale: “vrasja në rrethana të tjera cilësuese, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit, Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Hetimet paraprake tregojnë se konflikti filloi fillimisht në mënyrë verbale për motive të dobëta mes autorit dhe Sarchit, si dhe personave që e shoqëronin.
Ky debat, i cili dyshohet se ndodhi për shkak të aktivizimit të dritave të gjata të automjeteve me të cilat po udhëtonin viktima dhe 48-vjeçari përballë njëri-tjetrit, u përshkallëzua më pas deri në përdorimin e armës.
Më pas, dyshohet se autori i dyshuar ka qëlluar me armë me vjaska drejt viktimës dhe personave që e shoqëronin me automjet në aksin rrugor “Nivicë-Salari”, ku si pasojë e të shtënave humbi jetën 44-vjeçari italian.
Grupi hetimor i Policisë dhe Prokurorisë së Gjirokastrës ka në dispozicion prova të vlefshme që dokumentojnë ngjarjen. Konkretisht, përmes kamerave të sigurisë në segmente të ndryshme rrugore, hetuesit kanë mundur të dokumentojnë itinerarin e lëvizjes së autorit të dyshuar përmes makinës së tij ngjyrë të bardhë.
Nga vendngjarja u sekuestruan automjetet e viktimës dhe shoqëruesve të tij, si dhe 2 armë gjahu. Gjatë kontrolleve në një zonë të thellë malore midis fshatrave Nivicë dhe Bolenë, policia gjeti të fshehura automjetin dhe veshjet që dyshohet se ka përdorur autori, ndërsa në një çantë të hedhur në shkurre u sekuestruan dylbi me rreze infra, dylbi termike, një mbajtëse arme dhe një elektrik dore.
Kontrollet e mëtejshme në banesën e 48-vjeçarit dhe të familjarëve të tij në Mesaplik e Vlorë zbuluan rreth 2.5 milionë lekë (në lekë dhe euro), 3 armë gjahu me municion luftarak, 450 fara të dyshuara kanabisi dhe 2 kasaforta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)


