Lajme

Zbardhet vrasja e 34-vjeçarit, shkak lidhja jashtëmartesore

Ka marrë trajtat e një krimi për hakmarrjeje, ngjarja e raportuar mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku 34-vjeçari Arben Gjeci ka humbur jetën në rrethana misterioze.

Fillimisht u mendua se viktima nga fshati Zall Bastar kishte rënë nga një lartësi në mënyrë aksidentale dhe u dërgua në Spitalin e Traumës, ku ndërroi jetë.

Por, policia ka zbuluar se Gjeci është goditur me mjete të forta në kokë. Autorët kanë tentuar ta raportojnë ngjarjen si aksidentale, por që më pas rezultoi një vrasje për motive të dobëta.

Mësohet se shkak për ngjarjen është bërë një lidhje jashtëmartesore. 34-vjeçari, prej disa kohësh kishte një lidhje me një vajzë të martuar dhe çdo gjë u zbulua nga bashkëshorti dhe vëllai i 20-vjeçares.

Mbrëmjen e së enjtes, Arben Gjeci është takuar me 20-vjeçaren pranë banesës së familjes Cani në Zall Bastar. Por vëllai i saj E.Cani dhe bashkëshorti e kanë ruajtur dhe i kanë gjetur të dy në një kasolle pranë shtëpisë. Ata e kanë ruajtur, pasi bashkëshorti i 20-vjeçares i ishte ankuar kunatit se motra e tij e tradhtonte.

Lidhja jashtëmartesore nuk është pranuar nga vëllai i 20-vjeçares, i cili mësohet se ka marrë një hekur dhe ka qëlluar disa herë në kokë Arben Gjecin duke e lënë pa ndenja dhe me pas autori e ka marrë dhe ka nxjerrë në rrugë viktimën.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, pas kontrolleve policia ka gjetur edhe rrobat e viktimës pranë banesës së familjes Cani. I arrestuari si autori i dyshuar i vrasjes nuk e ka pranuar akuzën para grupit hetimor.

Në pranga, është vënë edhe shkaktarja e kësaj përplasjeje, 20-vjeçarja E.Cani, e cila nuk ka bashkëpunuar me policinë për zbardhjen nkrimit.

Si dhe bashkëshorti i kësaj të fundit, pasi përveç se ka penguar hetimet e policisë, iu gjet në banesë edhe një sasi kanabisi.

Të tre të arrestuarit do të përballen me akuzën e plagosjes së rëndë me dashje me pasojë vdekjen si dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë