Rend dhe Ligj

Zbardhet vrasja dhe plagosja e babë e bir në Dukagjin, shpallen në kërkim 4 autorët

Gazeta Si – Katër persona janë shpallur në kërkim nga policia pas ngjarjes së rëndë në Dukagjin, ku u vra Zef Guri dhe u plagos Gjin Guri, djali i tij, i cili ishte edhe shënjestër e atentatit.

Bëhet me dije se tashmë janë identifikuar autorët e dyshuar, pas mbledhjes së provave dhe dëshmive të para në vendin e ngjarjes.

Sipas policisë, Martin Qershija, 28 vjeç, Edmond Nika, 29 vjeç, Kujtim Dholla, 25 vjeç, dhe Çesk Serraj, 36 vjeç, janë shpallur në kërkim në lidhje me vrasjen dhe plagosjen e babë e bir, Zef e Gjin Guri, përkatësisht 73 dhe 43 vjeç.

LEXO EDHE:
Atentat në Dukagjin/ Vritet babai, plagoset rëndë i biri. Shkak konfliktet për kanabisin

Policia po heton në disa pista për atentatin, ku më kryesorja është mosmarrëveshja për lëndët narkotike e mbjella në zonën e Dukagjinit.   

Katër të rinjtë dyshohet se janë autorë dhe bashkëpunëtorë në ngjarjen e rëndë të shënuar rreth orës 18:30 në fshatin Mali i Shoshit, pranë një lokali.

Për të katërt rëndojnë 2 vepra penale “Vrasje me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit”.

Tashmë janë njoftuar të gjitha drejtoritë e policive në të gjithë vendin, përfshirë edhe pikat kufitare, për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Vrasja ndodhi rreth orës 18:45 (27 shtator) në zonën e Dukagjinit, ku shënjestër e atentatit dyshohet se ka qenë Gjin Guri, i cili mbeti i plagosur dhe është sjellë në spitalin e Traumës për mjekim më të specializuar.

Shkak për këtë ngjarje dyshohet se janë bërë konfliktet për kultivimin e kanabisit.

Gjin Guri nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai ka qenë i dënuar me 7 vite burg për kanosje dhe armëmbajtje pa leje. Në vitin 2015, Gjin Guri ka shkëmbyer zjarr me policinë në një aksion anti-kanabis në parcelat me kanabis në Njësinë Shosh në Dukagjin.

Asokohe ai dyshohej si kultivues i kanabisit, dhe për të shmangur kontrollet në parcelat e tij, qëlloi drejt helikopterit me efektivë.

Fatmirësisht, nuk pati të lënduar nga të shtënat ndërsa Gjin Guri figuronte në listën e 10 personave të shpallur në kërkim si autorë të plumbave drejt helikopterit.

Ndërsa në 15 nëntor të vitit 2021, në lokalin e tij në Malin e Shoshit u vendos tritol nga persona të paidentifikuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë