Gazeta Si - 34-vjeçari Alqi Bllako, deputet i Parlamentit deri më datën 30 mars, do të përballet me drejtësinë për akuzat e korrupsionit dhe të shpërdorimit të detyrës, që bazuar në hetimet e SPAK, e lidhin atë si të dyshuar me aferën e incerenarorit të Fierit.
Por në dosjen e SPAK, del se ish-deputeti ka kryer një udhëtim me avion drejt Italisë së bashku me Klodian Zoton, ish-administratorin e inceneratorit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për disa akuza.
Sakaq, ndaj Bllakos, sipas burimeve pranë SPAK-ut, janë dy pozicionet e detyrave që mbajti, njëra prej tyre si Sekretar i Përgjithshëm pranë Ministrisë së Mjedisit, në kohën kur institucioni drejtohej nga Lefter Koka dhe tjetra kur drejtonte AKUM-in, ku sërish dyshohet se ka firmosur gjatë kësaj kohe për çështje që e lidhin me inceneratorin e shumë diskutuar të Fierit.
Me veprime dhe mos veprimet e tij, Bllako, këmbëngul SPAK, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, ndonëse së bashku me ish-eprorin Koka kanë qenë në dijeni të plotë të vlerësimit të pronës së shpronësuar në kundërshtim me ligjin, nuk ndërmorën nismën për propozimin për ndryshimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave që mban numrin 95, i datës 28 dhjetor 2016.
Si rrjedhojë, sipas SPAK, së bashku, edhe Koka dhe Bllako, kanë lejuar ardhjen e pasojës, shkaktimin e dëmit në buxhetin e shtetit prej 16.288.000 e tetë mijë lekë – nënvizon Prokurori i Posaçëm.
Sipas dokumenteve të sekuestruara për efekt prove, SPAK këmbëngul se procedura e shpronësimit të truallit, u krye në kundërshtim me ligjin dhe se anëtarët e komisionit nuk morën pjesë në këtë procedurë. Ata nuk kanë gjithashtu dijeni për këtë gjë.
“Kjo korrespodencë, është mbajtur me zyrën vendore të regjistrimit të pasurive me kryetarin e komisionit, Pëllumb Abeshi”, - deklaron SPAK për Gazetasi.al.
Më pas, kjo listë, sipas prokurorëve të posaçëm për tokën truall, me vlerën 46.299.060, u nënshkrua së bashku me relacionin nga drejtoresha juridike dhe u miratua nga Alqi Bllako.
Pikërisht ky gabim për dhënien e tokës truall, ka orientuar gabim kryetarin e Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, që procedoi sipas shkresave, duke kryer pagesat përkatëse për subjektin përkatës, referuar çmimit përkatës tokë-arë.
Likuidimi i shpronësimit, u krye sipas SPAK për një periudhe 2-vjeçare. Por sakaq, për shkak të shkresave që në nisje të procedurës, kur Alqi Bllako ishte Sekretar i Përgjithshëm, SPAK këmbëngul se babai i tij, Edmond Bllako, u punësua si drejtor kantieri nga kompania koncesionare, duke u paguar 6 mijë euro në muaj.
Për këtë argument, prokurorët e posaçëm sjellin si dimension favorizimin e pagesës nga shoqëria koncesionare kundrejt kërkimit dhe marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt prej 14.964.900 lekë.
Pikërisht kjo është bërë shkas, që ndaj tij të adresohet edhe akuza e korrupsionit.
Kjo pagesë u krye tek i ati që ishte i punësuar fiktivisht dhe mbështetet nga dëshmitë e drejtorëve realë në kantier, Enid Dine, Ilirijan Priftaj dhe Elton Bualli.
“Edmond Bllako (babai i ish-deputetit) është paraqitur dy-tre herë në kantier, por nuk kemi dijeni për pozicionin e punës së tij”, - thanë njëzëri dëshmitarët.
Sakaq, një shkresë nga kompania e nënkontraktuar, që quhet ‘PRSP health and safety solution”, e cila merrej me instruktimin e punëtorëve që hynin në kantier, përfshi edhe drejtorin e kantierit, përforcon këtë qëndrim.
Por më e rënda, sipas SPAK, është gjetja në sistemin TIMS, ku rezulton se Alqi Bllako udhëtoi në datën 16 prill 2019 së bashku me Klodian Zoton drejt qytetit të Torinos në Itali dhe një ditë më vonë, të dy ata u kthyen së bashku me linjën ajrore “Alitalia” në Tiranë.
Klodian Zoto dhe partnerja e tij Stela Gugallja, sipas SPAK, akuzohen se kanë dhënë ryshfet në drejtim të ish-ministrit Lefter Koka me qëllim sigurimin e lejes për ndërtimin e inceneratorit për të gjeneruar më pas fatura fiktive duke u vjedhur shtetit rreth 3.6 milion euro.
Pas hetimeve të kryera, SPAK ka zbuluar se shuma prej 3.6 milion eurosh i është dhënë në formë ryshfeti pikërisht Lefter Kokës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.