Ka ndodhur

Zbardhet grabitja me dhunë ndaj biznesmenit Nazmi Çangu, kush janë dy anëtarët e grupit “Hijet e Natës”

Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore grabitja me dhunë dhe nën kërcënimin e armës të një shume të konsiderueshme parash në banesën e biznesmenit Nazmi Çangu, ngjarje e ndodhur në fund të muajit tetor.

Policia e Krujës, në bashkëpunim me policinë e Durrësit dhe Tiranës, nën drejtimin e Prokurorisë së Krujës zhvilluan operacionin policor “Kasaforta”. Në kuadër të këtij aksioni është arrestuar në flagrancë Saimir Kuçi, banues në Tiranë. Po ashtu është shpallur në kërkim Artan Prenga dhe disa persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.

“Ky operacion u zhvillua pas një pune hetimore dhe gjurmuese të bërë nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit në nivel vendor dhe qendror, me kontributin profesional të Institutit të Policisë Shkencore Tiranë, duke bërë të mundur dokumentimin me prova ligjore se shtetasi Artan Prenga, në bashkëpunim me persona të tjerë, është autor i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 24.10.2021, në fshatin Nikël të rrethit Krujë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka gjetur si pasojë e disa kontrolleve në banesa 14 telefona, 1 palë pranga, armë të ftohta, drogë, 1 bllokues valësh pajisje elektronike, detektor për kërkim sendesh të çmuara, një maskë bashkë me doreza, ora të markave të ndryshme me vlerë, bizhuteri floriri, koleksion monedhash (60 monedha të vjetra të shteteve të ndryshme).


Kush janë dy anëtarët e grupit “Hijet e Natës” që akuzohen

Artan Prenga, është pjesë e grupit “Hijet e Natës”, një grup ky që ka si metodologji veprimi vetëm grabitjen e kasafortave të bizneseve në Tiranë dhe jo vetëm.

Një emër tjetër është Saimir Kuçi. Ky është arrestuar. Edhe ky është pjesë e grupit “Hijet e Natës”, i arrestuar disa herë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si autor i një serie grabitjes, përfshirë dhe grabitjen e Ambasadës Daneze në Tiranë, ku vodhën kasafortën ku mbaheshin vizat dhe pasaportat.

ADN tradhtoi

Identifikimi i Artan Prengës është bërë nëpërmjet analizave të ADN-së, pasi në vendgjarje u gjend një kapele që kishte përmbajtje të djersës dhe qimeve.

Analizimi i tyre solli dhe përputhjen e me profilin e Artan Prengës. Ky i fundit njihet si person me precedent penalë, kryesisht në atë të grabitjeve. Deri në këta fazë të hetimeve, janë lëshuar 4 mandate arrestimi, por vetëm një është mundur të ekzekutohet nga policia, e cila që prej ditës së djeshme ka arrestuar Saimir Kuçin në Tiranë.

Saimir Kuçi, gjithashtu është një nga autorët e supervjedhjes së bujshme të biznesmenit të ndërtimeve Ilirjan Çela, të cilit i morën në banesë kasafortën me 340.000 Є, 5.000 £ dhe 13.400.000 lekë.

Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, në të gdhirë të datës 28 prill 2009 në një apartament në katin e nëntë të një pallati të ri në rrugën “Hamid Shijaku”.

Kuçi së bashku me 10 persona të grupit u arrestuan nga Krimet e Rënda, në kuadër të grupit kriminal “Hijet e Natës” dhe pak vite më parë më konkretisht në maj 2011 Kuçi u dënua me 11 vjet heqje lirie për akuzën e vjedhjes me dhunë në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Grabitja e banesës së Çangut

Nga dy kasafortat e Nazmi Çangut, janë vjedhur së shumë financiare diku tek 100 mijë euro dhe një sërë dokumentash që i përkisnin aktivitetit të Nazmi Çangut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë