Gazeta Si – Artan (Marius) Tafani është autori i dyshuar i grabitjes me armë në një pikë të këmbimit valutor në zonën e Unazës së Re, në Tiranë.
Policia e Tiranës ka mundur të zbardhë ngjarjen e ndodhur mëngjesin e së shtunës, më 24 qershor dhe thotë se e ka shpallur në kërkim 39-vjeçarin Tafani, i cili rezulton i dënuar edhe më parë për të njëjtën vepër kriminale.
“Në vijim të veprimeve intensive hetimore, bazuar dhe në provat e grumbulluara dhe informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Round”. Në kuadër të këtij operacioni u shpall në kërkim autori i dyshuar i kësaj ngjarje, Artan (Marius) Tafani 39 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale. Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se Artan (Marius) Tafani, më datë 24.06.2023, në Unazë të Re, është futur në një pikë për transferta parash dhe këmbimi valutor, dhe nën kërcënimin e një arme zjarri pistoletë, ka marrë një shumë parash është larguar me një biçikletë.”
Po ashtu policia e Tiranës, ka vënë në pranga një 35-vjeçar, nën akuzën se ka penguar zbulimin e të vërtetës.
“Enio Mecaj, i ka vënë në dispozicion autorit të dyshuar një garazh automjetesh, dhe me veprimet dhe mosveprimet e tij ka penguar zbulimin e së vërtetës, duke pretenduar se nuk e njeh personin që ka në posedim garazhin. Gjatë kontrollit të garazhit u gjetën biçikleta dhe veshjet e përdorura nga autori gjatë ngjarjes, si dhe një automjet që rezulton i vjedhur me datë 23.02.2023, në Shijak, Durrës”.
Agjentët e Komisariatit nr. 6 kanë mundur ta gjurmojnë Tafanin përmes vëzhgimit të kamerave të sigurisë, ku është gjurmuar çdo lëvizje e tij hap pas hapi, para dhe pas ngjarjes.
Ai mësohet se ka lëvizur me biçikletë dhe me taksi, ndërsa ka qenë vetë 39-vjeçari që ka dërguar rrobat dhe materialet e tjera në garazhin e 35-vjeçarit Enio Meçaj, të cilat i ka pasur veshur ditën e grabitjes.
Gjatë kontrollit në garazh u gjet dhe një makinë e vjedhur në Shijak, ngjarje që kishte mbetur e pazbardhur, për të cilën dyshohet se autor janë Tafani dhe Mecaj. Artan (Marius) Tafani rezulton me precedentë të theksuar kriminalë, sidomos në grabitje.
Nën kërcënimin e armës, Tafani arriti të merrte një shumë prej të paktën 30 mijë eurosh, duke neutralizuar punonjëset e pikës së këmbimit valutor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.