Rend dhe Ligj

Zani Çaushi rikthehet në dyert e gjykatës, kërkon përllogaritje të viteve të burgimit

Myrteza Çaushi, i njohur ndryshe edhe si “Zani i Vlorës”, është rikthyer në dyert e Gjykatës së Korçës me një kërkesë për të përllogaritur vitet e burgimit.  

Zani Caushi kërkon t’i llogariten ditët e paraburgimit në Tiranë, kur është arrestuar përpara se të shkonte në Burrel dhe nga burgu i Burrelit në burgun e sigurisë së lartë të Drenovës.

Sipas tij, nuk i është llogaritur koha e paraburgimit në vitet ‘98-‘99.

Edhe sipas avokatit të tij, Arben Lena, llogaritja e kohës së paraburgimit është bërë gabim.

Avokati thotë se ka pasur gabime në llogaritje në të gjitha kohët e paraburgimit të tij dhe në veçanti të viteve ‘98-‘99, kohë kur Zani Çaushi është liruar për 1 muaj dhe është riarrestuar prapë.

Pak muaj më parë ai iu drejtua gjykatës, duke kërkuar lirimin me kusht, një kërkesë që iu refuzua nga organet e drejtësisë.

Myrteza Çaushi, njeriu i konsideruar si ‘i forti’ i Coles, u arrestua në shtator të 1997 dhe pas një beteje të ashpër që zhvilloi me gjykatën mundi të marrë pafajësinë dhe të lirohet në mars të 1999.

Pas një përplasje me armë ku la të vrarë dy persona dhe u plagos dhe vetë, Zani Çaushi u arrestua në nëntor të 1999 dhe prej asaj kohe qëndron në qelitë e burgut, pasi është dënuar me burgim të përjetshëm për krijim bandash të armatosura, vrasje, pengmarrje, plagosje etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë