Ministria e Kulturës ka hapur thirrjen për drejtor të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Zana Çela e mban këtë pozicion që prej gushtit të vitit 2016, por prej një viti e gjysmë i kishte mbaruar mandati i saj 4-vjeçar në krye të këtij institucioni. Më herët, për mediat drejtoresha Çela do të shprehej se do të rikonkurronte, ndërsa ministrja e Kulturës, Elva Margariti i pati besuar nismave të saj përtej mandatit.
Konkursi i hapur ka kritere të qarta në kërkim të drejtuesve që ofrojnë një platformë të qartë dhe të kenë mbi 5 vite detyra drejtimi në art.
Konkursi mbyllet më 19 prill.
Pas 5 vitesh rikonstruksion, Teatri i ri Kombëtar i Operës dhe Baletit i ngriti perdet përmes një mbrëmjeje Gala më 15 shtator të 2021-shit.
Pas ngritjes së perdeve të TKOB ishin jo të paktë ata që do ta cilësonin TKOB e rikonstruktuar pa asnjë ndryshim me operat botërore, por regjisori Nikolin Gurakuqi, i cili ka pasur më shumë se 4 dekada punë në Teatrin e Operës dhe Baletit dhe një njohës i mirë i këtij institucioni në një intervistë për Gazetën “Si” do të shprehej me kritika për rikonstruksionin.
Sipas tij, ky rikonstruksion ishte më se i domosdoshëm që të bëhej dhe erdhi në kohën e duhur, por ashtu si në çdo gjë që ndodh në Shqipëri, edhe ky rikonstruksion pati problematikat e veta, si p.sh në standard dhe në shumë ndërhyrje.
Një nga problematikat më të mëdha sipas Gurakuqit ishte ndërhyrja në projekt, duke ndryshuar destinacionet e studiove. Sipas tij, në gjithë këtë rikonstruksion është administrata ajo që ishte kujdesur që të rehatohej për veten e vet, duke hedhur akuza mbi drejtoreshën Çela.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.