Gjashtë vite në krye të TKOBAP, (dhe kjo ishte hera e dytë që e drejtonte këtë institucion), Zana Çela njofton se do të rikandidojë sërish për pozicionin Drejtor i Përgjithshëm në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, pozicion për të cilin Ministria e Kulturës shpalli konkursin më 29 mars. Dhe kjo do të jetë hera e tretë për të.
"Sigurisht që do të rikandidoj”, u shpreh Çela një ditë më parë, duke theksuar edhe eksperiencën që ka në këtë fushë. Në kërkesat që duhet të plotësojnë kandidatët, Ministria e Kulturës thotë që duhet të zotërojë diplomë të nivelit “Master Shkencor” në shkenca ekonomike ose menaxhim të artit kulturor. Por drejtoresha në detyrë Zana Çela tha se qeveria shqiptare e ka formatuar qartë se çfarë kriteresh duhet të kenë titullarët në administratën e shtetit.
"Këto kritere nuk bien ndesh me CV-në time. Qeveria shqiptare formaton shumë qartë se çfarë kriteresh duhet të kenë drejtorët e përgjithshëm të administratës së shtetit shqiptar dhe si kriter kryesor është masteri shkencor, pa e identifikuar se në cilin degë do të jetë masteri. Dhe sigurisht që unë e kam masterin shkencor!”, tha Çela, duke i "besuar" qeverisë dhe jo Ministres së Kulturës, Margariti, me të cilën ka pasur përplasje pas rikonstruksionit të Teatrit.
Zana Çela erdhi në detyrë menjëherë pasi artisti Ilir Kerni dha dorëheqjen nga posti i drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ndërsa këtë post e kishte mbajtur edhe gjate qeverisjes së parë të socialistëve, kur Edi Rama ishte Ministër Kulture.
Shumë pranë mbarimit të mandatit, për shkak të tërmetit, rikonstruksionit, por edhe pandemisë, Çela u sigurua nga ministrja Elva Margariti se do të ishte në krye të institucionit të rikonstruktuar për shkak të punës së mirë të kryer edhe gjatë periudhës 4 vjeçare. Dhe mandati i saj i dytë shkoi 6 vjet.
Por ministria shpalli të hapur një konkurs për postin e drejtorit të ri dhe kushti i parë ishte një master shkencor në ekonomi e financë. Mendohet se shkak për këtë konkurs të menjëhershëm është fakti se drejtoresha aktuale Çela, nuk po merr në dorëzim investimin miliona eurosh që është bërë në rikonstruksionin e TKOBAP. Por dje Çela tha se projekti ka nisur vite më parë. “Projekti ka nisur shumë kohë përpara të themi 3-4 vite më përpara se unë të filloja mandatin. Ka qenë gjithmonë Ministria e Kulturës ajo që ka bërë ekspertizën e nevojave dhe të projektit”, tha Çela.
Megjithatë, përtej debateve të lindura përmes shkresave me Ministrinë e Kulturës, Çela konfirmoi se do të rikandidojë për këtë post.
Kandidatët për këtë post duhet të dorëzojnë platformat e tyre deri në 19 prill.
Por a do të skualifikohet Çela për shkak të mungesës së masterit shkencor që duket se është "shpikur" pikërisht për të tani, ndërsa 6 vjet më parë kur u zgjodh drejtoreshë nuk i duhej? Kjo do të kuptohet në ditët në vijim, nëse do të ndërhyjë qeveria (kryeministri), mik i saj i vjetër, tek i cili Zana Çela i kishte shpresat si për mandatin e parë kur Rama ishte Ministër Kulture, të dytin edhe tani për të tretin që është kryeministër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.