Drejtoresha e TKOB, Zana Çela, ka vendosur t’i përgjigjet me një status të gjatë akuzave të bëra nga sopranoja Inva Mula pas mbrëmjes Gala më 15 shtator në Teatrin e rikonstruktuar të Operës dhe Baletit.
Sipas drejtoreshës së këtij institucioni kulturor, Inva Mula nuk ka të drejtë në sulmin e saj për çështjen e ftesës, madje i është përgjigjur në mënyrë të ashpër duke i kujtuar se si asnjëherë është shkelur protokolli duke i shkruar disa herë zonjës Mula, dhe pa përgjigje.
“Siç të gjithë e pamë, TKOBAP jo vetëm ka ftuar Znj. Mula për të performuar në këtë event, por ka thyer edhe protokollin moral të dinjitetit tonë kombëtar, duke e përsëritur ftesën në drejtim të saj disa herë pa marrë asnjë përgjigje. Znj. Mula është ftuar dhe mbajtur në dijeni të modifikimit të datave të inaugurimit për shkak të forcave madhore si tërmeti dhe pandemia, si në mënyrë zyrtare ashtu edhe shoqërore deri në përcaktimin e datave përfundimtare, por nuk dha kurrë një përgjigje. Ofendimi personal nga arroganca e mos-përgjigjes është kaq i vogël dhe i parëndësishëm. Ashtu siç është edhe pretendimi absurd pas shfaqjes për mos-ftesë”, shkruan Çela në reagimin e saj.
Ajo e krahason këtë rast njëjtë si me një sportist që refuzon të përfaqësojë vendin e tij në një event sportiv.
“Ashtu sikurse në garat sportive, sportdashësit me të drejtë ofendohen e lëndohen kur një sportist refuzon të përfaqësojë kombin tonë, ashtu ndihemi edhe ne sot nga ky injorim kundrejt institucionit më të rëndësishëm kombëtar artistik në vend”, thotë Zana Çela.
Në lidhje me dokumentarin, Zana Çela thotë se ai nuk merrte përsipër historinë 65-vjeçare të TKOB-së, por vetëm rikonstruksionin.
“Nisur nga tema e këtij eventi, njësoj si rikonstruksioni i shumë veprave të tjera publike në kryeqytet e më gjerë, kryefjala e këtij mini-dokumentari ishte metamorfoza e këtij shndërrimi historik, jetësor për brezat aktual e ato që do të vijnë. Që në hyrje të tij, ky dokumentar shprehte se nuk merrte përsipër të bënte historinë 65-vjeçare të TKOBAP, por fokusohej vetëm tek rikonstruksioni. Për t’i dhënë edhe një input artistiko-historik shndërrimit të këtyre ambienteve, u pa e udhës nga prodhuesit e këtij dokumentari që të përmendeshin përgjatë tij edhe (vetëm) artistët e parë që kanë debutuar në atë skenë, dhe jo për të shpalosur vlerat e tyre artistike por për të treguar në mënyrë strikte evolucionin historik të kësaj godine”, shprehet ndër të tjera Çela në reagimin e saj.
Pak ditë më parë sopranoja e njohur Inva Mula deklaroi: “Sigurisht që nuk do jem e pranishme, them sigurisht sepse nuk jam e ftuar. Po, kam një ftesë si spektatore, por nuk më është bërë asnjë ftesë zyrtare. Nuk është shfaqur dëshirë, ka qenë një dëshirë e zbehtë e drejtoreshës artistike, por që nuk ka pasur domethënë një bashkëbisedim të vërtetë për një pjesëmarrje të tillë”.
Pas 5 vitesh rikonstruksion, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit i ngriti perdet me një mbrëmje Gala mbrëmjen e 15 shtatorit, ku u ngjitën në skenë edhe dy yje botërorë si Ermonela Jaho dhe Placido Domingo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.