Zana Çela dhe Inva Mula, të cilat prej vitesh ndanin një miqësi së bashku dhe kishin projekte të suksesshme, janë kthyer në kryefjalë të debatit pas hapjes të Teatrit të rikonstruktuar të Operës dhe Baletit.
Siç edhe vetë ato e kanë deklaruar vite më parë në media, miqësia e tyre do të lindte shumë herët që në bankat e shkollës në Liceun Artistik “Jordan Misja”.
Përplasja mes tyre shpërtheu në publik kur Inva Mula mungoi në mbrëmjen Gala të 15 shtatorit, që përmbyllte 5 vite të rikonstruksionit të TKOB dhe ku merrnin pjesë edhe sopranoja e njohur Ermonela Jaho dhe tenori me famë botërore Plaçido Domingo.
Mula doli hapur duke thënë nuk kishte marrë ftesë. “Po, kam një ftesë si spektatore, por nuk më është bërë asnjë ftesë zyrtare. Nuk është shfaqur dëshirë, ka qenë një dëshirë e zbehtë e drejtoreshës artistike, por që nuk ka pasur një bashkëbisedim të vërtetë për një pjesëmarrje të tillë”.
Nga ana tjetër, institucioni publikoi email-et që i kishin dërguar artistes, por që ajo nuk ishte përgjigjur, gjë që nxori në pah indirekt marrëdhëniet e ftohta që ajo ka aktualisht me drejtuesen e këtij institucioni, dikur mikeshën e saj, Zana Çelën.
Edhe vetë Çela me anë të një reagimi të gjatë, shprehet se Inva Mula nuk ka të drejtë në sulmin e saj për çështjen e ftesës, madje i është përgjigjur në mënyrë të ashpër duke i kujtuar se si asnjëherë është shkelur protokolli duke i shkruar disa herë zonjës Mula, dhe pa përgjigje.
Por siç duket, shkak i kësaj përplasjeje nuk është thjesht dhe vetëm ftesa në këtë event operistik. Mes tyre ka edhe pakënaqësi të mëhershme.

Ngërçi ka nisur që te bashkëpunimi i tyre i fundit, në vitin 2017, me “Peshkatarët e Perlave”, vepër e cila u vu në skenë për herë të parë pas 40 vitesh në TKOB.
Që atëherë mikeshat kanë pasur debate për shkak të fondeve të shfaqjes. Sopranoja do të shprehej se fondet e dhëna për veprën “Peshkatarët e Perlave” ishin të pamjaftueshme.
Prishja e miqësisë disavjeçare do të vihej re edhe në konferencën për shtyp për nisjen e sezonit artistik, në shtator 2017 ku mikeshat do të uleshin larg njëra-tjetrës dhe me qëndrime të ftohta.
Por në ato kohë ata janë treguar më të kujdesshme lidhur me marrëdhënien e tyre, duke dashur të mbajnë një imazh miqësor para publikut.
Sopranoja Inva Mula do të deklaronte se gjatë konferencës për shfaqjen “Peshkatarët e Perlave”, zgjodhi të ulej vetë mes artistëve dhe jo në krye të tryezës. Pas saj, edhe vetë Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Zana Çela do të shprehej se ajo erdhi vonë dhe zgjodhi të ulej aty. Çela do t’i cilësonte zërat për prishjen e marrëdhënies së tyre si tendenciozë.
Marrëdhënia e ftohtë e Inva Mulës me Teatrin e Operës do të përforcohej edhe me “zhvendosjen” e saj në një qytet tjetër, në Korçë, me një festival të ideuar nga vetë ajo “MIK Festival në Korçë” si ide për të promovuar kulturën dhe historinë e këtij qyteti.
Por në përplasjen e fortë të ditëve të fundit, mes Inva Mulës dhe institucionit të Operës, një shkëndijë mund të jetë edhe pjesëmarrja e sopranos së njohur, Ermonela Jaho.
Në heshtje është folur gjithnjë për një sfidë dhe rivalitet mes dy zërave më përfaqësues të muzikës operistike shqiptare, Inva Mula dhe Ermonela Jaho.
Inva Mula madje do të pyetej edhe në studiot televizive nëse ndien rivalitet me Ermonela Jahon që është në kulmin e karrierës, por ajo e ka mohuar kategorikisht një gjë të tillë.
“Ermonela është një artiste e shkëlqyer në të gjitha drejtimet dhe mënyra se si ajo po i përkushtohet skenës, mënyra si po imponohet në skenë është shembull për brezin e ri. Është rrugë që unë e kam bërë?”, do të shprehej ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.