Mendim

Zaev: Greqia të marrë përsipër udhëheqjen e Ballkanit!

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev duket se i ka lënë të gjithë pa fjalë me një deklaratë befasuese nga Nju Jorku, ku ka theksuar se "Greqia duhet të marrë përsipër udhëheqjen e Ballkanit Perëndimor". Argumenti i Zaev ishte se "Greqia është anëtarja më e vjetër e BE-së dhe anëtarja më e vjetër e NATO-s nga vendet e rajonit".

Kjo deklaratë e kreut të vendit fqinj duket se ka qenë “muzikë” në “veshët” e mediave greke dhe është pritur me entuziazëm dhe nota nacionaliste në Athinë. Ajo erdhi pas takimit mes Zaev dhe kryeministrit Qirikoas Mistotaqis në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Deklarata e kryeministrit maqedonas shkaktoi edhe më shumë habi për faktin se takimi mes tij me Mitsotaqis u shoqërua me tensione, pasi si ky i fundit deklaroi se nuk do ta kishte firmosur kurrë Marrëveshjen e Prespës.

Por në një intervistë me “IBNA”, Zaev iu referua takimit të tij të parë me kryeministrin grek si një tejet miqësor, duke e cilësuar si pikënisjen e një kapitulli të ri për Athinën dhe Shkupin.

"Për mua është gjithmonë kënaqësi të takosh përfaqësuesit e një vendi miqësor dhe Greqia është miqësore me vendin tonë. Që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës, qëllimi ynë i vetëm ka qenë të ndërtojmë një miqësi, të shkojmë drejt prosperitetit për të dyja vendet, dhe natyrisht që gjithmonë kam shfrytëzuar rastin të uroj prosperitet, gëzim, kënaqësi, jetë të mirë dhe bashkëpunim me qytetarët e Greqisë. Ne diskutuam zbatimin e Marrëveshjes së Prespës, e cila është shumë e rëndësishme për të dyja palët. Ne kemi detyrime për të përmbushur, por mund t’ju them se ne do t’i tregojmë qytetarëve të Greqisë miqësinë tonë të sinqertë ", tha Zaev.

Zoran Zaev dhe kryeministrit Qirikoas Mistotaqis në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Gazeta Si, 29 shtator 2019

Ai u ndal edhe tek çështjet e hapura të Greqisë dhe Shqipërisë, duke deklaruar se e vlerësonte shumë politikën e kryeministrit Mitsotaqis dhe duke theksuar se Athina mund të mbështetej gjithnjë tek Shkupi.

“Normalisht, vlerësoj shumë politikën e kryeministrit Mitsotakis. Ai kujdeset për të ardhmen e Greqisë. Tani për tani, ka disa çështje të hapura për Greqinë me Turqinë, me Shqipërinë. Sigurisht, ata mund të mbështeten gjithmonë tek ne, sepse ne jemi një vend shumë miqësor”, deklaroi Zaev.

Ky kurs politik që duket se po ndjek kreu i Maqedonisë së Veriut, vjen vetëm tre javë përpara vendimit për hapjen e negociatave. Mes frikës se qeveria e re konservatore greke mund të bllokojë nisjen e bisedimeve me Shkupin, Zaev duket se ka vendosur t’i zgjasë Mitsotakis “dorën e miqësisë”, me shpresën së do të “zbusë” qëndrimit e ashpër të Athinës ndaj marrëveshjes së emrit.

Partia qeveritare Demokracia e Re kundërshtoi ashpër Marrëveshjen e Prespës, duke akuzuar ish-kryeministrin Alexis Tsipras për tradhti kombëtare dhe duke u zotuar të bllokonte rrugën europiane të Shkupit.

Por kryeministri maqedonas tha se tanimë kishte marrë “siguri” nga Mitsotakis se Greqia nuk do të dilte kundër negociatave me vendin e tij.

"Mendoj se në mënyrë absolute qëllimi i një vendi miqësor është të mbështesë fqinjin e tij verior, Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në këtë drejtim, pala Greke është e lumtur të na mbështesë në Këshillin Evropian”, deklaroi Zaev.

Ai foli edhe në emër të liderëve të tjerë të rajonit, duke thënë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor presin udhëheqje nga Greqia në kursin e tyre europian.

“Unë jam i mendimit se Greqia me të vërtetë duhet të marrë përsipër udhëheqjen e Ballkanit, sepse Greqia është shteti anëtar më i vjetër i BE-së, shteti anëtar më i vjetër i NATO-s. Qeveria Mitsotakis ka mundësinë dhe normalisht do të zhvillojë politikat e veta. Por unë, si kryeministri i Maqedonisë së Veriut, dhe kryeministrat e tjerë dhe drejtuesit e rajonit, presim udhëheqje nga Greqia, pasi agjenda e Selanikut e vitit 2003 na ka dhënë inkurajim për të vazhduar kursin europian. Në vendin tonë 83% e qytetarëve janë pro integrimit në BE. Kështu që duke pasur këtë në mendje, normalisht, Greqia do të duhet të zërë vendin e saj vërtet në Ballkan dhe Europën Lindore. Ekziston një mundësi para nesh dhe unë e di se Greqia do të na mbështesë tani në Këshillin Europian, në mënyrë që të mund të marrim një datë për të filluar negociatat me BE-në”, u shpreh Zaev.

Zoran Zaev dhe kryeministrit Qirikoas Mistotaqis në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Gazeta Si, 29 shtator 2019

Këto deklarata të kryeministrit Zaev duket se vijnë si një pjesë e një strategjie për të ulur tensionet jo vetëm me qeverinë aktuale greke, por edhe me qytetarët grekë, të cilët kanë kundërshtuar gjerësisht marrëveshjen e firmosur nga ai dhe Tsipras.

Burime të qeverisë Greke thanë për mediat në Athinë se Mitsotakis kishte deklaruar se do ta respektonte Marrëveshjen e Prespës, meqë ishte ratifikuar nga Parlamenti Grek në janar dhe ishte pjesë e ligjit ndërkombëtar, por se nuk do ta kishte nënshkruar kurrë.

Demokracia e Re erdhi në pushtet në korrik të këtij viti, pasi një fitore dërrmuese ndaj ish kryeministrit Tsipras. Para se të bëhej kryeministër, Mitsotakis ishte një kundërshtar i palëkundur i marrëveshjes së aprovuar nga paraardhësi i tij, duke insistuar se njohja e ekzistencës së gjuhës dhe identitetit maqedonas do të dëmtonte interesat kombëtare të Greqisë. Ai tha se nën udhëheqjen e tij, Greqia do të mbështeste të drejtën e saj për të vënë veton në për hapjen e bisedimeve me Maqedonisë së Veriut.

Por deklaratat e Zaev duket se kanë “zbutur” qeverinë dhe opinionin publik ne Greqi. Ministri Grek i Mbrojtjes Nikos Panagiotopoulos ka njoftuar së fundi se Athina do të mbrojë hapësirën ajrore të Maqedonisë së Veriut. Sipas një traktati dy-palësh, avionët grekë do të patrullojnë qiellin e Maqedonisë së Veriut pasi Shkupi të bëhet një anëtar i plotë i NATO-s, në fund të këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë