Lajme

Yjet në qiellin e Kryeministrisë nuk e parashikojnë dot fatin e protestës

Sabina Veizaj-Mbrëmja e kaluar në qiell të hapur nën temperatura të ulta, përpara kryeministrisë e 5 studentëve protestues nuk rodhi aq vetmitare në të aguar të ditës së mërkurë

Në ligjërimet e mëngjesit,  në ditën e tetë të protestës së tyre, duke i bërë thirrje kryeministrit Rama për të shfuqizuar ligjin e arsimit të lartë, studentët kanë përdorur elemente të diskurit politik. Ata i përmendën kreut të qeverisë, gjestin e tij të shëmtuar sipas tyre, që mblodhi e bëri dialog në Top Channel me anëtarët e tij të FRESH-it.
“Z. Kryeministër, ata nuk na përfaqësojnë, ata janë partiakë, ne kemi kauz të njëjtë, të ulësh tarifat. Ne jemi si BE; plotëso kushtet njëherë, pastaj negociata”.

Studentët protestues, gjatë ditës provuan që pranë radhëve të tyre të pranonin edhe kategori të tjera sociale , gjë që nuk kishte ndodhur më parë gjatë kësaj jave.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/

Disa ditë më parë, kur disa syresh prej prindërve nga ASTIRI u përpoqën tu bashkoheshin studentëve në bulevardin përpara Ministrisë së Arsimit, i refuzuan "se donin të mbeteshin vetëm tek kauza e tyre".

“Nëse ju kërkoni mbështetjen tonë, duke na thënë mos ndani me ne hallet tuaja, kjo nuk është e drejtë! Ne nuk mund të vijmë këtu të qajmë hallin tuaj dhe jo tonin. Prandaj duhet të tregoheni të hapur, se kjo protestë na përfaqëson të gjithë ne të pakënaqurve” – u shpreh një burrë i ri që mori mikrofonin.

Por më pas protestës iu bashkuan minatorët. Një sipërmarrës i një biznesi të vogël, iu tha se çdo ditë ka qenë me studentët duke ulur qepenat dhe do të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë. Por hovi politik i studentëve para kryeministrisë u rrit kur u bashkuan edhe të përndjekurit politik, të cilët gjatë fjalës së tyre kërkuan rrëzimin e sistemit. Studentët, pavarësisht se në thirrjet e tyre qëndruan koherent duke refuzuar çdo thirrje partiake dhe kërkesë dorëheqjeje për çdo përfaqësues të qeverisë, nuk ndalën asnjë ligjërues që mori mikrofonin tek kërkonte largimin e kryeministrit Rama.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/272691653392783/

Olger Rakipllari, njëri prej protestuesëve që e gdhiu në bulevard, tregoi për gazetën “Si” se qëndrimi i hapur gjatë ligjërimeve ditën e mërkurë ishte në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen nga ana e qytetarëve sepse nuk mundeshin t'u hiqnin mikrofonin nga dora.

Olger Rakipllari


“E kemi gdhirë, 48 orë pa shkuar në shtëpi. Duke qenë se kaluam një natë të paparashikueshme, nuk e kishim menduar se do të përshkallëzohej. Kaluam një natë të vështirë, por edhe të bukur për emocionet që pati dhe mbështetjen nga qytetarët. Duke menduar përshkallëzimin, e prisnimin  edhe shtimin e protestuesëve nga rrethet jashtë studentore.  Nuk mund të tregohemi të paedukatë për të hequr mikrofonin nga dora e qytetarëve të revoltuar. Patjetër që ata kanë shumë të drejtë, ne kemi bërë thirrje që ju lutem mos u shpërqendroni.”

Olgeri më shpjegoi se pavarësisht ç’thuhet, “kemi thënë se ne jemi bashkë dhe ndarja në dy pika është strategjike për të bllokuar dy pikat kryesore. Sigurisht ndjej keqardhje se çdo njëri do të vijë të shfryjë dufet. Kjo ka një anë pozitive, po aq edhe negative. Duke qenë se është një protestë rinore dhe jo me eksperienca si të mëparshmet dhe që nuk ka një strukturë drejtuese dhe kjo na penalizon duke lënë vend për interpretim. Ne që ndoshta kemi sakrifikuar pak më shumë për këtë kauzë, jemi përpjekur që ta bëjmë të qartë. Ne nuk kemi kërkuar në asnjë mënyrë dorëheqjen e askujt, por nëse ajo jep dorëheqjen sepse nuk është e aftë të marrë vendimet e duhura, le ta bëjë.”

Për Olgerin gjithçka duhet të jetë paqësore sespe sipas tij kjo e karakterizon këtë protestë “të qenit të paqtë dhe është hera e parë që ndodh”.

Në Dhjetorit 2018 i është hequr herë pas here edhe ndonjë paralele me atë të Dhjetorit 1990.
Por a ngjajnë këto protesta me njëra-tjetrën? Nëse po, ku ndahen dhe ku bashkohen?
Agim, i cili vjen nga një qytet verior për të mbështetur studentët thotë se ka diferenca mes dy protestave. “Në 1990 populli dhe studentët ishin bashkë. Gjithçka u realizua, ndryshuan sistemet. Sot secili proteston më vete. Nëqoftëse të gjithë do të ishin bashkë, studentët dhe populli, me gjithë të metat e veta, do të rrëzonin sistemin.”

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/725219514537978/

Fran Ndoi mirditor, por që aktualisht banon në Tiranë rrëfen se e ka përjetuar nga afër natën e 8 dhjetorit 1990dhe natën kur është rrëzuar busti i diktatorit Enver Hoxha. “Në një farë mënyrë të gjitha etapat i kam jetuar. Më vejn shumë keq që po i rijetoj. Atëherë ishte rastësia. Në 8 dhjetor të 1990 vija nga një rreth tjetër sepse të nesërmen kisha një ndeshje futbolli. Kishim ndeshje në Kamëz, u anullua e na çuan tek stadiumi Qemal Stafa. Aty protestonin studentët dhe ngjarjet agravuan atë natë. Dhe jemi bërë bashkë me studentët. As ndeshjen nuk e bëmë. Vetëm bëmë një ndeshje të mirë.”

Frani është babai i një vajze studente e cila ka mbaruar bachelorin për Menaxhim Biznes. Këto kërkesa i shoh si shqetësime tek vajza ime dhe detyrimisht i mbroj. Por mendon se dy ngjarje historike nuk kanë të përbashkëta.

“Sepse ngjarjet janë të papërsëritshme. Ngjarjet nuk mund të përsëriten. Më vjen keq se po rijetohen duke filluar nga modeli i protestimit, nga fillimi i protestës që iniciohet për gjëra ekonomike, por që duhet të kalojnë në kërkesa politike. Jo vetëm kësaj klase, por edhe asaj tjetrës që vjen na ledhaton. Kam problem me të gjitha klasat politike, sidomos të asaj që na jepte direktiva. Unë jam kundër direktivave. Ndjehem njeri i lirë. I kam jetuar edhe shefat e kuadrit dikur. Jam 50 vjeç. Unë kam punuar edhe jashtë.”- shpjegon Frani për gazetën “Si”.

 “Edhe njeriu i thjeshtë nuk e gjen veten tek asnjë zyrë e administratës publike. Ai që bën luftën, gabon po të vazhdojë edhe në paqe. Ai i luftës duhet të qëndrojë në luftë. Kjo u bë gabim atëherë. Ata të luftës të papërgatitur për atë pushtet që erdhi, e mbajtën. Bënë gabimet e veta. Ky është një brez për të cilin më vjen keq sepse është i bombarduar mediatikisht, elektronikisht. Prindërit nuk kanë pasur mundësi të merren me ta, edhe financiarisht. Psh. vajzës time, unë i kam thënë; kujdes se gjithmonë do të ketë pengesa, duhet të kesh imunitet.”

Frani thotë se ky brez i dhimbset më shumë se ai që ndërroi sistemin në 90”-ën. “Kanë një barrë të rëndë që nuk e përballojnë dot psikologjikisht. Unë vij, bisedoj me ta, tek e tek. Unë ju them që ju nuk jeni këtu për shkaqe ekonomike mirëfilli, jeni për shkaqe politike. Derisa jeni një grupim shoqëror dhe në kufijtë administrativ të një shteti. Shteti është shtëpia në miniaturë. Nëse do të bëjmë rolin e individit moskokëçarës, kalojmë në anarki. Mua nuk më pëlqen se janë futur fryma anarkiste. Këta janë të të gjithëve, jo vetëm të vetvetes. Duhet të paraqesin kërkesat në mënyrë politike.” Frani tregon se ai merr pjesë dhe mbështet të gjitha protestat për kauza qytetare që zhvillohen në Tiranë.

Petrit Bicakani është një marangoz shkodran i papunë. Jeton në Tiranë. Por protestat e 1990-ës thotë se i ka përjetuar në Shkodër. “Ndryshimi mes dy protestave historike është që këta nuk po kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë, por thjesht dhe vetëm kërkesat e tyre dhe habitem sepse po ua vonojnë. Mbrëmë kam qenë gjithë natën këtu me djemë e goca të reja, t’ju rri afër se më shumë s’kemi çfarë bëjmë.”

Petriti më tregon se fëmijët e tij janë të rritur dhe në protestë nuk ka nipër a mbesa, as ndonjë të afërt. Nuk ka lidhje direkte me asnjë protestë, por ka shkuar në çdo protestë qytetare; tek Astiri, teatri dhe thotë se do të vazhdojë sërish të qëndrojë e ta gdhijë me ta gjithë natën për sa ditë studentët do të vazhdojnë të qëndrojnë përpara kryeministrisë.
Olger Rakipllari nuk di se çfarë do të sjellë e nesërmja. “Asgjë nuk u përkufizua, i ngelet ditës së nesërme. Meqënëse sot pati një rritje të numrit të protestuesëve, na nderoi edhe Shkodra. Duke e lënë mikrofonin pak më shumë të hapur, ndoshta harruam edhe të përqëndroheshim pak më shumë tek gjetja e zgjidhjes dhe se si do të vazhdojmë në ditët në vijim. Ne mendojmë që po bëjmë një protestë qytetare dhe shpresojmë që z. Kryeministër do të ketë një proces reflektimi ndaj vetes së vetë dhe nuk do të hedhë topin një herë tek senati, një herë tek studentët që preferon të bëjë live nëpër media të ndryshme ose një herë duke i mbledhur në fakultete të ndryshme. Për tu takuar me kryeministrin është vetëm sheshi i Kryeministrisë ku duhet të na sjellë 8 pika të firmosura.”

Dhe për Olgerin, ky nuk është një ultimatum, por një vendim unanim i qindra studnetëve. “Unë personalisht që bëra vetëm pak orë gjumë në shesh i mbuluar me batanije që na sollën qytetarët e mrekullueshëm, do të thotë se ne e bëmë publike që protesta është pa afat. Jemi më entuziast se jemi më të shumtë. Shpresoj të kalojmë një natë shumë të mirë. Sakrificat tona shpresoj që ti shërbejnë Z. Kryeministër.”

Sot është e mërkurë dhe nesër gdhin e nesërmja. Nga qielli i kryeministrisë studentët në shesh ende nuk mund t'i lexojnë yjet se si ato mund ta parashikojnë fatin e protestës por një gjë ështe e sigurt: në mos u shtofshin kërkesa të tjera, ato tetë pikat pa kusht "dialogun" , mbeten.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë