Lajme

“Xhisiela”, lirohet djali i deputetit. PD: Rama kontrollon drejtësinë

Gjykata e Krujës ka dhënë sot vendimin për djalin e deputetit të Partisë Scialiste, Rrahman Rraja, Rexhep Rraja.
Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Engjëllushe Tahiri, vendosi të lirojë nga qelia Rrexhep Rrajan, duke e dënuar me 1 vit shërbim prove.

Prokuroria e Krujës kishte kërkuar 1 vit burg për djalin e deputetit të PS-së, i cili akuzohet për dhunimin e Xhisiela Malokut dhe pse ai ka mohuar akuzat.

Rexhep Rraja u arrestua në 30 shtator pasi ish-oficeri i policisë Emiljano Nuhu denoncoi në media kërcënimet sipas tij nga disa eksponentë të PS për të mbyllur denoncimin e Xhisiela Malokut.

Kjo e fundit vazhdon t’i qëndrojë variantit se nuk është dhunuar nga Rexhepi, por denoncimet për dhunën e ushtruar i kishte bërë në korrik të këtij viti për shkak të xhelozisë.

Menjëherë pas publikimit të këtij vendimi, Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Rama se ka kapur drejtësinë, duke liruar përdhunues dhe grabitës dhe duke burgosur ata që nuk paguajnë dot energjinë elektrike.

“Vendimi për lirimin e përdhunuesit Rexhep Rraja është një tjetër provë e rënies së sistemit të drejtësisë. I biri i deputetit mafioz të Fushë Krujës është lënë i lirë, jo për t’i shërbyer komunitetit, por për t’i shërbyer pushtetit kriminal të Edi Ramës. Lirimi nga burgu i djalit përdhunues të deputetit socialist tregon standardin e dyfishtë të drejtësisë që kontrollon Edi Rama. Nga njëra anë mbahen në burg qytetarët që nuk paguajnë dot dritat, nga ana tjetër lihen të lirë ata që vjedhin votat për Edi Ramën, përdhunuesit, vrasësit dhe trafikantët e drogës”, lexohet në reagimin e PD-së.

Sipas demokratëve, Edi Rama “nuk ka ndërmend të ndërtojë një drejtësi më të mirë për shqiptarët, por një drejtësi që i shërben atij, ministrave të tij të korruptuar dhe krimit të organizuar, me të cilin vjedh votat dhe bashkëqeveris me ta”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë