Lajme

“Xhisiela”, beteja e opozitës dhe akuzat ndaj Qeverisë

Bledar Hoti

Intervista e Xhisiela Malokut për dy televizionet kombëtare, ku e mohoi “me zë e me figurë” se është dhunuar nga Rexhep Rraja, djali i deputetit të PS-së, Rrahman Rraja shihet nga ana e opozitës me dyshim dhe mbi të gjitha si skenar i frikshëm i maxhorancës, e që sipas PD-së po tenton ta mbyllë këtë çështje me anë të kërcënimeve ndaj vajzës.

Menjëherë pas përfundimit të intervistës, kryedemokrati Lulzim Basha në orët e vona të së  hënës reagoi  në Facebook, duke “shfajësuar” dhe  mbrojtur vajzën përballë asaj që ai e cilëson si presion të ushtruar nga kryeministri Rama.

Pavarësisht se Maloku deklaroi se nuk është dhunuar, për kreun e PD-së, ajo ishte e detyruar që ta mohonte, pasi asaj i rrezikohej jeta.

“Është tronditëse të shohësh një të mbijetuar të përdhunimit dhe të dhunës të mohojë përdhunimin dhe torturën për të mbetur gjallë! Xhisiela e di shumë mirë se çfarë kriminelësh gjakftohtë dhe të pamëshirshëm janë ata, ai që e përdhunoi dhe ata që e mbrojnë përdhunuesin, ndaj ajo bëri sot atë që bën çdo njeri i tmerruar që kërkon të mbijetojë: Mbrojti veten dhe familjen e saj. Rrahman Rraja është pjesë e një prej bandave kriminale që sundojnë dhe terrorizojnë Shqipërinë. Sot në Shqipëri nuk ka më as polici, as prokurori, as drejtësi as Parlament. Parlamenti dhe drejtësia kanë rënë, dhe në vend të tyre sundon banda e Ramës, Rrajëve, Habilajve, Bajrëve, Shullazëve me shokë”, shkruan Basha në Facebook.

Një reagim mbajti edhe kreu i grupit të LSI-së, Petrit Vasili, duke e cilësuar si qesharake mënyrën se si po veprohet me rastin e Xhisielës.

“Edhe dhunues edhe të trashë, edhe gdhe. Janë kaq gdhe, kaq ordinere dhe kaq gajasshëm qesharakë sa që e shtrënguan vajzën e mjerë të thotë që ka djegur veten me cigare. Edhe po t’i kërkonin të thoshte që njeriu ha bukë me veshë, që derri është elefant dhe që mushka pjell do t’i thoshte, por asgjë nuk ndryshon faktin që këta janë dhe mbeten në mënyrë të lemerishme as më shumë dhe as më pak se sa përçmimi vetë dhe pa të dytë i moralit njerëzor”, shkruan Vasili në Facebook.

Në të njëjtën linjë u shfaq edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili me doza më të forta sulmoi kryeministrin Edi Rama.

“Intervista e Xhisielës, prova absolute se Edvin Kristaq Rama është dhe kryepërdhunuesi i Vjolistanit! Miq, dje mediat paraqiten viktimën Xh.M, e cila, pas shpëlarjes së trurit që i bëri shteti përdhunues në zyrat e tij, nuk thotë se nuk mban mend, por thotë nuk ka ndodhur asgjë dhe fjalë për fjalë thotë ato që prej dy ditësh përsërit si papagall kryepërdhunuesi Edvin, pra se mediat po përdorin vajzën. Në intervistën e saj Xhisiela, në çdo dy fraza, sipas porosisë, sulmonte mediat, duke deklaruar nuk dua të përdorem nga media. Miq, nuk duhet revoltuar me Xhisielën, ajo është absolutisht e pafajshme dhe qëndrimi i saj tregon se çfarë është i aftë të bej shteti përdhunues kundër një viktime të pambrojtur. Tërheqja e dëshmive nga ana e saj provon vetëm efektin, pasojat e tmerrshme të terrorit kafshëror që ushtrohet ndaj saj nga shteti përdhunues. Duhen falënderuar mediat për kontributin e madh te tyre në mbrojtje të viktimës dhe zbardhjen e këtyre të vërtetave shtazore që mund të ndodhin vetëm në shtetin përdhunues të Vjolistanit!”, shkruan ish-kryeministri Sali Berisha në rrjetet sociale.

Rasti i Xhisielës u denoncua fillimisht më 21 korrik nga ish-kryeministri Sali Berisha në një status në Facebook. Më pas intervista e dhënë me ish-shefin e Policisë, Emiljani Nuhu, tashmë në mërgim, ditët e fundit solli një stuhi politike.

Opozita po përgatiste aksionin e ri politik mbi këtë ngjarje, i ngjashëm me atë të rastit incizimit të transmetuar për rastin “Babale” me vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Pavarësisht se intervista e Xhisiela Malokut që rrëzon akuzat ndaj Rexhep Rrajës, shihet si një shfryrje të kauzës së re politike të së djathtës, opozita do të përballet me maxhorancën me kartën e kërcënimit të vajzës për t’i tërhequr akuzat ndaj djalit të deputetit të PS-së.

Maxhoranca nga ana e saj, e cilëson si të mbyllur çështjen “Maloku”. Madje strategjia e PS-së, e lëshuar nga mbledhja e grupit parlamentar socialist të hënën ishte anashkalimi dhe injorimi i çështjes “Maloku”.

Sot kryeministri Edi Rama, i ndodhur në Gjenevë për Forumin Ekonomik Botëror, nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale ka shmangur debatin politik, duke i fokusuar te nxjerrja në tregjet ndërkombëtare të Eurobondit shqiptar.

“Ekonomia shqiptare mirë a keq? Rritet a bie? Ka s’ka perspektivë? Sot përgjigjen s’e jap unë, as opozita, as komentatorët e banaqeve a të fejsbukut, as raportet ndërkombëtare, po Tregjet Botërore të Kapitaleve! Le të presim disa orë për të parë si e shohin tregjet ekonominë tonë”, shkruan Rama në Twitter.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë