Njerez

Xhiroja e pasdites / Rituali që po i mbijeton modernizimit

Nga Gazeta “SI”– Në një kohë kur Tirana e vitit 2025 po formësohet si një metropol i kullave, teknologjisë dhe vetmisë urbane, periferia shqiptare duket se i reziston këtij transformimi. Qytezat, me ritmin e tyre më të ngadaltë, kanë ruajtur ritualet e jetës kolektive, mes tyre edhe një nga më domethënësit: xhiron e pasdites.

Ky fenomen, që në kryeqytet është zëvendësuar nga ecja nëpër qendra tregtare apo qëndrimi në apartamente inteligjente, në provincë mbetet një gjest i përditshëm, i ngarkuar me simbolikë, kujtesë dhe jetë. Nga të moshuarit që e shohin si fizioterapi natyrore, te të rinjtë që e shndërrojnë në hapësirë flirtimi, e deri te fëmijët që e rikthejnë në lojë, xhiroja pasditeve mbetet një nga ato pak rituale sociale që ende i reziston kohës – dhe teknologjisë.

Tirana e vitit 2025 është qytet i kullave, teknologjisë dhe një jete thuajse të ndërtuar në vetmi, duke ndjekur me përpikmëri metamorfozën e qyteteve të mëdha që tashmë konsiderohen metropole. Por në dallim nga qendra, qytezat e Shqipërisë duket sikur kanë ruajtur fort traditën e tyre, duke mos u influencuar pavarësisht se popullsia, thuajse gjithmonë në lëvizje, komunikon në mënyrë dinamike me kryeqytetin dhe qytetet e tjera të mëdha të vendit.

Bulveradi i Tiranës

Mes tendencave për reformim të hapësirave publike apo modernizimit të jetës individuale, shpesh nëpërmjet teknologjisë dhe më rrallë nëpërmjet nismave shoqërore, provincat ende ruajnë fort atë çka mbetet pjesë e traditës: xhirot e pasdites. Ky fenomen mbart brenda vetes jo vetëm një ritual të krijuar që në zanafillë të qyteteve, por edhe një lëvizje të mbushur me sentimente kolektive dhe individuale.

Mosha e tretë e konsideron xhiron e pasdites si një çlodhje për muskujt e brishtë, gati-gati si një gjimnastikë të domosdoshme. Mosha e mesme e sheh si një shëtitje dhe një vështrim mbi jetën sociale, ndërkohë që të rinjtë shpesh e kanë parë xhiron e pasdites edhe si një veprimtari që i ekspozon përballë njëri-tjetrit, duke e shndërruar këtë akt edhe në një pikë takimi dhe flirti mes djemve dhe vajzave. Përkundër konceptit të xhirove si një angazhim shoqëror përtej çlodhjes, ekziston një brez që e sheh fund e krye si një pistë vrapimi, apo si një kënd lojërash – fëmijët, të cilët i japin edhe gjallërinë e duhur xhiros me britmat e tyre të lojës.

“Ç’flitet aty, ç’ndihet e ç’fat është shkruar për të nesërmen, këto më së shumti i di vetëm rruga.”

Alda Shpata, mësuese dhe autore e disa librave në prozë, është nga Gramshi dhe jeton ende aty. Për GazetaSi.al, Alda thotë se xhiroja e pasdites është një traditë që ka lindur së bashku me qytetin.

“Gramshi, 65 vite qytet, me ndërtesat e para dhe më pas një model sovjetik pallatesh, kryesisht me 60 metra katror. Duke pyetur prindër dhe gjyshër të afërt, thuhet se xhiroja e pasdites lindi njëherësh me qytetin. Në vitet ’60-’70, Gramshi u banua, përveç vendasve, edhe nga të ardhurit: mësues, mjekë, oficerë dhe inxhinierë (të cilët punonin në uzinën e armëve në Çekin), një fshat afër qytetit. Këta individë vinin kryesisht nga Korça dhe Elbasani, por edhe nga plot qytete të tjera. Bashkë me veten sollën edhe traditat dhe sjelljet e vendeve nga erdhën, dhe gramshakët, si vend me kufizime dhe uri, i adaptuan këto norma që në thelb mund të quhen qytetare. Thuhet që zonjat e ardhura, ‘shoqet’ e dikurshme, me fustanet e prera bukur në rrobaqepësinë e qytetit, së pari i vishnin në xhiron e pasdites. Po prapë nga më të vjetrit thuhet se kryesisht martesat mplekseshin (gëlonin mbledhjet më së shumti) nga ngasjet që lindnin gjatë shëtitjes së mbrëmjes.”

Alda thekson se në Gramsh shumë gjëra kanë ndryshuar, nga qokat e deri tek lokalet e shumta dhe luksoze, përveç xhiros së mbrëmjes.

Gramsh

“Gramshi ka një rrugë kryesore. Dikur kishte dy-tre lokale, njerëzit organizonin vizita në shtëpitë e tyre; sot kjo ka ndryshuar, frekuentohen lokalet dhe për qoka (urime e ngushëllime). Gjithçka ka ndryshuar, veç xhiros së mbrëmjes. Pasi pihet kafeja e pasdites dhe fillon muzgu, dalin të gjithë në rrugë, grupe-grupe, familjarë, çifte të reja dhe fëmijë, duke e populluar rrugën. Në verë është normale, ora 19:00-19:30 i gjen të gjithë në rrugë, por ajo që më bën të mendohem për këtë ritual 60-vjeçar është dimri. Janë disa familje, grupe shokësh dhe miqësish të vjetra që edhe i ftohti nuk i mban brenda në atë orë të ndritshme të xhiros, e cila devijon dy orë, në 16:00-17:00. ‘Ç’flitet aty, ç’ndihet e ç’fat është shkruar për të nesërmen, këto më së shumti i di vetëm rruga.’”

Fushë -Arrëzi me xhiro pasditeje, por pa shëtitore

Por jo vetëm Gramshi ka ruajtur këtë traditë. Edhe Fushë-Arrëzi, një qytezë e vogël në veri të Shqipërisë, e konsideron porçës aktiv dhe angazhues xhiron e pasdites, duke qenë ndër të paktat rituale të ruajtura aty.

Bona Lluka, poete, e lindur në Fushë- Arrëz dhe e zhvendosur në Shkodër pas moshës 23-vjeçare, për GazetaSi.al tregon se Fushë -Arrëzi, duke qenë një qytet pa shëtitore, ka adoptuar dy rrugët kryesore të qytezës si vend për xhirot e pasdites, të cilat sipas saj ishin një nga veprimtaritë më të shumëpritura të ditës.

“Nga mënyra se si ishte ndërtuar, Fushë- Arrëzi nuk kishte një shëtitore siç kishin shumë qytete asokohe, por ne e dinim për çfarë bëhej fjalë kur flitej për xhirot në rrugën e sipërme dhe në pazarin e poshtëm. Ishin dy rrugët që formonin një kënd prej rreth 60 gradësh që takoheshin te agjencia e vjetër, duke përfshirë mes tyre pothuajse gjithë qytetin. Paradite shëtisnin të moshuarit dhe ndonjë nënë me fëmijë të vegjël që merrnin ajrin e mëngjesit, ndërsa pasdite rrugët mbusheshin me të rinj dhe familjarë.”

Ajo shton se mungesa në xhiron e pasdites konsiderohej lajm për qytetin, pasi secilit i binte në sy dhe krijonte hamendësime e aludime të ndryshme për personin që mungonte.

“Xhiroja e pasdites ishte rituali i përditshëm që, nëse ndonjë ditë mungonte ndonjë person, sigurisht do binte në sy dhe nuk kalohej pa pyetur për të. Shkohej deri aty sa thashethemet për mungesën kalonin vesh më vesh. Vetëm prania e tij ditën tjetër i shuante zërat. Në një qytet të vogël, edhe mungesa në xhiron e pasdites përbënte lajm,” thotë Bona duke qeshur.

Sipas saj, edhe pse në një qytet të vogël, rrallë ndodhte që banorët e “rrugës së sipërme” të zbrisnin në pazar apo anasjelltas, përjashtuar djemtë (vajzat më pak, për shkak të kontrollit familjar që nuk i lejonte të ishin aq të lira), të cilët e bënin ndonjë xhiro aty ku ndonjë vajzë i kishte vjedhur zemrën.

Fushë- Arrëz

Në fund, Bona thotë se Fushë Arrëzi, duke qenë qytet punëtorësh me popullsi heterogjene, të ardhur nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, solli edhe një lloj emancipimi që reflektohej tek dalja e vajzave në kafene apo në salla mbledhjesh, diçka e rrallë për qyteza të tjera.

“Fushë Arrëzi, i populluar nga shumë të ardhur për shkak të fabrikave, sharrave dhe minierave, si dhe specialistë të arsimit e kulturës, solli larmishmëri dhe emancipim në veshje dhe në daljet, pavarësisht se është një zonë e vogël dhe shumë larg qyteteve të mëdha,” përfundon ajo.

Bona, edhe pse prej vitesh nuk jeton në Fushë- Arrëz, thotë me vendosmëri se sa herë kthehet aty, i bashkohet me dëshirë dhe nostalgji xhiros së pasdites.

Në një Shqipëri gjithnjë në lëvizje, ky zakon i thjeshtë bëhet një pasqyrë e thellë e mënyrës se si bashkëjetojnë e kaluara dhe e tashmja. Përkundër zhvillimeve dhe ndryshimeve të viteve, dhe zakoneve që shpesh nuk ia dalin të mbijetojnë, xhiroja e pasdites mbetet ende një “institucion” – jo vetëm i kujtesës për një kohë kur ishte i vetmi argëtim, por edhe një angazhim shoqëror i domosdoshëm për të zbuluar të rejat dhe për të kujtuar me nostalgji të shkuarën, ajo që në provinca duket se mbetet ende e gjallë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë