Rend dhe Ligj

Gjyqtarit që desh u bë President, nuk i dalin llogaritë e pasurisë

Tre gjyqtarë të Gjykatës së Lartë janë shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit deri më tani, ndërkohë që për të vetmin që e ka kaluar këtë test është kërkuar një rihetim në thellësi të dosjes nga Komisioneri Publik.

Tom Ndreca, Admir Thanza dhe Artan Zeneli janë gjetur me shkelje nga KPK tek deklaratat e pasurisë dhe tek lidhjet me persona të papërshtatshëm, ndërsa për Edmond Islamajn kërkohet rihetim në thellësi.

Këtë të premte ishte radha e kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori që të dilte para trupës me tre anëtarë të KPK-së. Nga hetimi i thelluar i deklaratave të pasurisë ndër vite të gjyqtarit me një karrierë në majat e sistemit të drejtësisë shqiptare nuk është gjetur asnjë problem nga kontrolli aritmetik dhe logjik.

Ajo që mbetet e paqartë për KPK është marrëdhënia e gjyqtarit me një kompani në fushën e ndërtimit, ku ka investuar në 2008 një shumë prej 35 mijë eurosh.

“Në 2008 subjekti ka deklaruar investim në shoqërinë “2E Construction” në vlerën e 35 mijë eurove dhe 1.2 mln lekëve. Në vitin 2017, subjekti deklaron se i është kthyer shuma prej 1 mln lekë, e cila ishte paguar për marrjen e një apartamenti. Deri më dhjetor të 2017, investimi në këtë shoqëri mbetet në vlerën e 32.7 mln lekëve, por është e paqartë marrëdhënia kontraktuale mes tyre”, thotë KPK.

Kush është Zaganjori?

Xhezair Zaganjori lindi më 9 mars 1957, në Shkodër. Ai u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në vitin 1981. Që nga kjo kohë ai ka qenë lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, i të Drejtës Europiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Europiane, Tiranë.

Pas rënies së regjimit u emëruar ambasador i Shqipërisë në Gjermani, post që e mbajti deri në vitin 1997. Në vitet 1998-1999 ka kontribuar si bashkëpunëtor shkencor pranë Institutit Max-Planck, në Gjermani për të Drejtën Ndërkombëtare dhe të Drejtën Kushtetuese.

Që prej vitit 2001, është anëtar i Gjykatës së Pajtimit dhe Arbitrazhit pranë OSBE-së me seli në Vjenë. vitin 2003 emërohet anëtar në Gjykatën Kushtetuese. Në fund të majit të vitit 2012, kur ishte ende në detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese u përzgjodh nga Partia Demokratike si një emër konsensual për President të Republikës për të pasuar në këtë post Bamir Topin.

Megjithatë, emri i tij nuk mori mbështetjen e opozitës në atë kohë dhe në raundin e tretë të votimit u tërhoq nga gara.

“Nuk pranoj që të jem kandidat për raundin e katërt. Për mua ka shumë rëndësi fakti, që opozita nuk ka besim tek unë dhe do të paragjykohet çdo vendimmarrje e imja. Në këto kushte paragjykimi unë deklaroj me bindje të plota tërheqjen. Unë falenderoj ata që më propozuan, do të uroja që ky proces të mbyllej dhe të zgjidhej një kandidat i përshtatshëm”, deklaronte ai pas tërheqjes nga gara, që i hapi rrugë zgjedhjes më pas me shumicë të thjeshtë të Bujar Nishanit.

Qëndroi në detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese deri në fillim të 2013. Në mars të atij viti u emërua fillimisht anëtar i Gjykatës së Lartë dhe më pas kryetar i saj nga Presidenti i asaj kohe, Bujar Nishani.

Pas ardhjes së socialistëve në pushtet dhe nisjes së punës për reformën në drejtësi ishte një prej anëtarëve më të zëshëm të sistemit që bënte thirrje për realizimin e saj. Sot, ende me pozicionin e kryetarit të Gjykatës së Lartë mbi supe doli në seancë dëgjimore para komisioneve të vettingut, që i rrezikon karrierën pasi thotë se e ka gjetur me probleme në deklaratat e pasurisë prej afro 59 mln lekëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë