Xhevahir Spahiu, Rudina Çupi dhe Rovena Rrozhani janë fitues të fondit nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, që mbështet veprat për botim.
Autori Xhevahir Spahiu me librin e tij “Një mijë dashuri” u shpall fitues në “Fondin e Krijimtarisë Letrare” ndërsa autoret Rudina Çupi dhe Rovena Rrozhani u shpallën fituese të “Fondit të Krijimtarisë Letrare për Fëmijë”.
14 vepra aplikuan këtë vit në QKLL për “Fondin e Krijimtarisë Letrare për Fëmijë” dhe një ditë më parë juria e kryesuar nga Persida Asllani, me anëtarë Flori Kasaj dhe Beti Njuma përzgjodhën tri veprat që do të mbështeten këtë vit nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për botim.
I mirënjohuri Xhevahir Spahiu u shpall fitues për librin “Një mijë dashuri” me motivacionin “Poezitë shpalosin bukurinë e jetës, duke përdorur një gjuhë estetike dhe fëminore plot muzikalitet dhe figurshmëri. Me larmi tematike nga historia kombëtare te natyra dhe jeta fëminore, ato sjellin ndjesi ë prekshme dhe vlera njerëzore”. Rudina Çupi u shpall fituese për librin “Ë-Ngrënësi dhe Ë-Vënësi” me motivacionin “kombinon rrëfimin dhe edukimin gjuhësor për fëmijët me një ligjërim të pasur dhe ilustrime tërheqëse. Libri edukon dhe argëton, duke nxitur dashurinë për gjuhën shqipe”.
Ndërsa autorja Rovena Rrozhani u shpall fituese për librin “Hana, vajza që kapi diellin” me motivacionin “vepra sjell historinë frymëzuese të një vajze që triumfon mbi të keqen, duke tërhequr lexuesit e vegjël në një udhëtim motivues. Gjuha e zgjedhur dhe ilustrimet dinamike nxisin imagjinatë dhe kënaqësinë e leximit”. (ATA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.