Sport

Xhesi Ouens, simboli i Olimpiadave që vendosi 4 rekorde para syve të Hitlerit

Më 31 mars 1980 do të ndahej nga jeta Xhejms Kleveland Ouens, i njohur në botën e sportit si Xhesi. Atleti me origjinë nga Alabama, sprintieri i madh amerikan, do të bëhej një mit i atletikës së lehtë, një ikonë e Lojërave Olimpike. Emri i tij është i lidhur dyfish me historinë. Ai arriti të fitonte 4 medalje ari në Olimpiadën e Berlinit në 1936-ën, para syve të Adolf Hitlerit. Në vitin 1984 emri i tij iu vendos një rruge në kryeqytetin gjerman.

Një statujë kushtuar Xhesi Ouens dhe rrathët olimpikë. Gazeta Si, 31 mars 2020

Në javën kur është vendosur data zyrtare e Olimpiadës së Tokios, e shtyrë për në vitin 2021, bëhen 40 vjet nga ndarja nga jeta e njeriut që ka bërë histori në Lojërat Olimpike. Ishte ai që më shumë se të tjerët ka personifikuar plotësisht shpirtin origjinal të vëllazërisë mes njerëzve dhe që kërkoi të vendoste një nivel të ri social. Për këtë arsye Olimpiadat moderne janë menduar të jenë të lira, larg kthetrave të politikës, por në realitet nuk kanë qenë kurrë të tilla. Qeveritë, veçanërisht ato diktatoriale, kanë tentuar gjithmonë t’i përdorin Olimpiadat për strategjitë e tyre. Rasti më emblematik është ai i Berlinit.

Kur Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vendosi në 1931-shin që Lojërat Olimpike të organizoheshin në Gjermani, Xhesi nuk e kishte imagjinuar kurrë se çfarë do të ndodhte pak vite më pas. Hitleri bëri gjithçka për t’i treguar botës jo vetëm se mund të organizonte një Olimpiadë perfekte dhe spektakolare, që nuk ishte parë më parë, por edhe se Gjermania është një vend paqësor dhe tolerant.

Adolf Hitleri në ceremoninë e hapjes së Olimpiadës. Gazeta Si, 31 mars 2020

Në atë kohë u shpenzua shumë për të ndërtuar impiante dhe stadiume të reja dhe u bënë punë të rëndësishme për urbanistikën. Goebbels, ministri i propagandës, e kishte kuptuar i pari se Olimpiada e Berlinit ishte një rast i artë për Gjermaninë naziste që ajo të rriste prestigjin ndërkombëtar dhe për të heshtur kritikat e brendshme. Gjatë Lojërave Olimpike u bënë 3000 transmetime radiofonike në 40 vende të botës, në të gjithë kontinentet, një rekord absolut për ato vite. Për herë të parë Olimpiada u transmetua në televizion dhe u përshtatën teatre të ndryshme që t’u jepej mundësia t’i shihnin edhe ata që nuk kishin në shtëpi një televizor.

Xhesi Ouens në pod. Gazeta Si, 31 mars 2020

Ceremonia e hapjes, mes përshëndetjeve naziste, ishte solemne dhe precize. Momenti i mbërritjes së flakës olimpike, pas 3 mijë kilometrash të përshkuara në gjithë botën, ishte i magjishëm. Ideja e një Gjermanie të fuqishme dhe krenare duhej t’i transmetohej gjithë botës edhe në fushë, me anë të fitoreve sportive. Dhe kështu ndodhi, historia tregon se fituese u shpall Gjermania e Führer me 89 medalje, e ndjekur nga Amerika dhe Hungaria.

Në këtë klimë krenarie dhe identiteti kombëtar, mes festimeve dhe marsheve të triumfit, diçka nuk shkoi mirë: Xhesi Ouens. “Vetëtima”, siç u pagëzua nga shtypi sportiv, ishte djali i shtatë i një familjeje amerikane shumë të varfër. Në atë edicion 23-vjeçari do të kthehej në shtëpi me 4 medalje ari, respektivisht në 100 metra (rekord botëror: 10,3’’), në 200 metra (rekord olimpik: 20,7’’), në stafetën 4×100 (rekord botëror: 39,8’’) dhe në kërcimin së gjati (rekord olimpik: 806 cm).

Xhesi Ouens në një kërcim së gjati. Gazeta Si, 31 mars 2020

Ky i fundit ishte një sukses që e futi në histori. Xhesi kishte kërcimin e fundit për të shkuar në finale, kur dikush iu afrua te shpatullat. Ishte Luz Long, atleti gjerman që të gjithë prisnin të fitonte, i cili po përpiqej t’i fliste me aq pak anglisht sa kishte mësuar në shkollë. I njihte mirë vlerat e amerikanit, e kishte parë në garat e tjera. “Një sportist si ty duhet të kualifikohet me sy mbyllur”, - i tha Long. Ishte këshilla perfekte për të bërë kërcimin që do ta çonte në finale.

Ouens jo vetëm u kualifikua për në finale, por kaloi edhe atletin gjerman, duke kërcyer 8.06 metra ndaj 7.87 të Long. Amerikani fitoi kështu një tjetër titull, duke tërbuar Hitlerin, i cili la tribunën për të evituar ceremoninë e dhënies së çmimeve. Nuk donte kurrsesi të shihte një atlet me ngjyrë të triumfonte përpara një ariani.

https://youtu.be/quQopJmQry4
Momente nga garat e Xhesi Ouens në Olimpiadën e 1936-ës. Gazeta Si, 31 mars 2020

Pas asaj Olimpiade, Ouens vazhdoi të garonte dhe të fitonte, për t’u bërë më pas trajner. U nda nga jeta në moshën 66-vjeçare, në varfëri, për shkak të një tumori në mushkëri, më 31 mars 1980. Në 1984-n, për nder të tij, një rrugë në Berlin mori emrin e tij, një rrugë pikërisht para stadiumit olimpik. Edhe sot Xhesi Ouens mbetet një simbol i lirisë, simboli i kampionit që u ngrit mbi krenarinë naziste, përpara përfaqësuesit kryesor të diskriminimit racor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë